Lidhja Demokratike e Kosovës së bashku me koalicionin parazgjedhor hapi të mërkurën fushatën zgjedhore me simpatizantë të tyre në Obiliq. Kandidati për kryeministër nga LDK, Avdullah Hoti, koalicionin parazgjedhor LDK-AKR-Alternativa, e ka quajtur koalicion i shpresës.
Ai tha se buxheti për bujqësi do të trefishohet, ndërsa për gratë lehona do të ketë një vit me pagesë. Për më tepër, Hoti theksoi se në programin e këtij koalicioni do të luftohet krimi dhe korrupsioni, ndërsa do të merret vendim edhe për demarkacionin, për t’iu hapur të rinjve dyert në BE.
“Ne koalicioni i shpresës, ne jemi koalicion i punës, ne jemi bërë bashkë tash brezi i Republikës jemi bërë bashkë me partnerët që mendojnë njësoj si ne, që kanë qasje si ne dhe që kanë duar të pastra. Është bërë koalicion i shpresës dhe më i mirë për të ndryshuar këtë gjendje. Ne kemi punuar bashkë këto ditë për të përgatitur një kontratë me qytetarët e Kosovës dhe kjo ofrohet për ta lidhur me ne më datë 11 qershor. 11 qershori është dita kur ne vendosim për të ardhmen tonë, familjeve tona dhe fëmijëve tanë, bujqve dhe për të ardhmen evropiane të Kosovës. Jam me plot besim që me pritjen që kemi gjithandej nëpër Kosovë do të marrim përkrahjen më të madhe që kemi pasur ndonjëherë si koalicion, si LDK, për të bërë këtë ndryshim të madh. Programi ynë është i thjeshtë për zhvillim ekonomik, punësim, të ardhura. Programi jonë është për problemet e qytetarëve, për të rinjtë dhe pà «r të rejat. Përpara bujqve fermerëve ne kemi bërë të qartë se do të trefishojmë buxhetin dhe do të zhdukim të gjitha skemat e korruptuara dhe jo efikase”, tha Hoti.
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa tha se vendit i duhet një qeveri që zgjidh problemet e banorëve të Obiliqit, derisa kandidatin e LDK-së për kryeministër e ka quajtur të qëlluar dhe kërkoi votat për të.
“Ne kemi përvoja të mira me Obiliqin dhe këto përvoja flasin se gjithmonë ne kemi besim me vetveten kur ne dëshirojmë të fitojmë, ne mund të fitojmë. Dhe unë ju garantoj se nëse në këtë frymë që kemi këtu e bartim te çdo qytetar në Obiliq, atëherë fitorja është e jona. Fitorja është e lidhjes së Ibrahim Rugovës, emrin e të cilit e mban kjo shkollë. Ne të gjithë jemi të interesuar të fitojmë dhe konsiderojmë si fitore të Kosovës. Ne dëshirojmë ta kemi një qeveri, e cila do të merret me problemet jetike të qytetarëve të vendit. Unë ju siguroj që ne ju kemi ofruar një listë të deputetëve të këtij koalicioni që ka këtë qëllim dhe orientim. Orientimi jonë është ta zhvillojmë vendin tonë dhe këtu në Obiliq t’i zgjidhim problemet jetike të këtyre qytetarëve, të ndërtojmë kapacitete të reja energjetike, të sigurojmë vende të reja të punës për ju, ambient të pastër për qytetarët e Obiliqit dhe infrastrukturë, e cila akoma mungon këtu”, tha Mustafa.
Presidenti i AKR-së, Behgjet Pacolli tha se do ta mbështesin fuqishëm Avdullah Hotin për kryeministër, pasi sipas tij është njeri punës dhe veprës. Sipas tij, ky koalicion duhet ta udhëheqë Kosovën dhe nuk ka alternativë tjetër.
“Ky koalicion tani duhet ta udhëheqë Kosovën, nuk ka asnjë alternativë tjetër. Çdo alternativë jashtë këtij koalicioni, është një vazhdimësi që ka filluar para 18 viteve dhe e shihni ku kemi mbetur sikurse një lokomotivë që ka dalë prej binarëve dhe ka mbetur aty. Andaj, aty janë ujqit që donë ta dhunojnë dhe grabitin diçka. Andaj, vetëdija jonë është ndryshe që mos t’i lejojmë ata asnjë herë më. Ne jemi koalicioni i punës, ne jemi koalicion, i cili beson vetëm në vepra dhe ju garantoj se ne do të arrijmë rritje ekonomike mbi 8 për qind dhe do të krijojmë mundësi punësimi 70-80 mijë vende të punës. Besoni në ëndrrat e juaja në bukuritë e ëndrrave tuaja dhe a e dini se bukuria e krejt kësaj është qeverisja e LDK-së dhe AKR-së”, tha Pacolli.
Kryetari i Lëvizjes për Drejtësi, Sylejman Çerkezi tha se Obiliqi ka ajër të ndotur, por shpirt të fuqishëm, andaj kërkoi angazhim të madh për të dalë fitues ky koalicion, raporton KosovaPress.
Ky koalicion prezantoi dy kandidatët për deputetë nga komuna e Obiliqit, Zeqir Hashani dhe Sylejman Çerkezi. /kp