Lidhja Demokratike e Kosovës së bashku me partnerët në koalicion Aleancën Kosova e Re, Alternativën dhe Lëvizjen për Drejtësi e kanë përmbyllur fushatën zgjedhore dhjetë ditëshe sot në kryeqytet.
Në këtë tubim, i cili në Prishtinë mblodhi të gjitha figurat e larta politike të LDK-së dhe partnerëve tjerë kandidati për kryeministër Avdullah Hoti tha se fitorja e koalicionit LDK-AKR-Alternativa nënkupton çlirimin e Kosovës dhe krijimin e një perspektive për të ardhmen.
Sipas Hotit Kosova ka nevojë për fitoren e Brezit të Republikës dhe për këtë ai e ka marr përgjegjësinë.
“Kosova ka nevojë për një rrugë të re politike. Është Brezi i Republikës që do t’ia ofrojë këtë perspektivë të re. Unë e kam marrë përgjegjësinë për këtë bashkë me partnerët tanë. Dhe unë e mbaj fjalën e dhënë. Qeveria e koalicionit tonë do të jetë një Qeveri e vogël, qeveri e përkushtuar, por mbi të gjitha do të jetë një Qeveri për qytetarin, në shërbim të qytetarit… Ne nuk mund të lejojmë më tutje dhunimin e lirisë tonë, nuk do të ketë më indeferencë ndaj shkeljes së lirisë dhe të drejtave themelore të qytetarëve të Kosovës. Ky është rasti jonë për ta realizuar ëndrrën e lirisë. Ne jemi përcaktuar për Republikën. Ne do t`ia dalim. Ne do të marrim fatin tonë në duart tona më 11 qershor. Kthim prapa nuk ka. Republika u përket qytetarëve”, tha Hoti.
Ministri i Financave në detyrë në Qeverinë e udhëhequr nga Isa Mustafa tha se ka ardhë koha që Kosova të çlirohet nga kapësit e shtetit
Hoti tha se Republikën mund ta bëjnë vetëm njerëz të ndershëm e atdhetarë dhe ky është ekipi i tij me njerëzit në listën e koalicionit.
“Gjatë këtyre javëve kemi udhëtuar bashkë në çdo cep të Kosovës. Ju kemi larguar nga obligimet tuaja, hallet e preokupimet vetëm për t`ua bërë me dije sa e rëndësishme është vota juaj më 11 qershor. E kemi bërë këtë me përgjegjësi më të madhe për të siguruar se vota e juaj do ta kthejmë lirinë tek ju, atë liri që është vjedhur. Liri për mundësi të barabarta. Ne duhet që me datë 11 qershor ta çlirojmë veten tonë dhe shtetin e Kosovës, institucionet e Kosovës nga kapësit e shtetit një herë e përgjithmonë, andaj na duhet vota dhe mbështetja e juaj. Na duhet mbështetja edhe e atyre që nuk na kanë votuar deri më tani, për shkak se kanë pasur hallet e veta, për shkak se janë mashtruar ë mashtruar, apo edhe për fajin tonë. Ne iu përkulemi atyre dhe kërkojmë mbështetjen e tyre”, tha Hoti.
Kandidati për kryeministër ka thënë se Qeveria e udhëhequr nga ai do të sjellë liberalizimin e vizave, do ta krijojë ushtrinë sepse siç tha ai ata e përfaqësojnë denjësisht shtetin.
Në fund Hoti duke cituar ish-presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova ka ftuar të gjithë që të dielën “vishuni bukur, të dukuni bukur, sepse 11 qershori do të jetë festa jonë e madhe. Zoti e bekoftë Kosovën, Zoti e bekoftë popullin e saj, Zoti i bekoftë miqtë tanë! Mirupafshim në Festën e fitores”, ka përfunduar Hoti.
Partneri i LDK-së në koalicion, kryetari i AKR-së Behgjet Pacolli tha se më 11 qershor do të ndahen nga e kaluara e hidhur.
Pacolli bëri thirrje që të dielën të dalin në zgjedhje dhe duke votuar listën e LDK-AKR-Alternativa ta largojnë Kosovën nga errësira.
“Puna do të fillon nga data 11 qershor. Kjo datë do të jetë që spektri politik i Kosovës do të ndahet në dysh, ai që do të udhëheq me Kosovën, ata që do të shkojnë në shtëpi… Më 11 qershor do të ndahemi nga e kaluara e hidhur, më 11 qershor do të ndahet e kaluara e korrupsionit, e krimit të organizuar, e zhvatjes, e keqpërdorimeve dhe e paaftësisë me të ardhmen e shtetit ligjor, luftës kundër korrupsionit dhe me njerëz që e donë Kosovën, me njerëz të profesionit… Prandaj, këtë mirëqenie ne do ta krijojmë jo me fjalë si të tjerët, me punë, jo me premtime, por me veprime… Unë kam një ëndërr për rininë tonë, këtë ëndërr do ta realizojmë dhe ajo është krijimi I një Kosove dinjitoze dhe me perspektivë për rininë tanë, fëmijët tanë”, deklaroi Pacolli.
Me këtë tubim koalicioni që veten po e quan të djathtë ka përmbyllur fushatën dhjetë ditore. Heshtja zgjedhore fillon sonte në orën 00:00 ndërsa zgjedhjet e parakohshme parlamentare mbahen të dielën./KP/