Aktuale

Homazhe dhe lule për viktimat e 21 janarit

Kryeministri Edi Rama, deputetë dhe familjarë bënë homazhe sot në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, në vendin ku 6 vjet më parë humbën jetën Ziver Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrtaj dhe Aleks Nika, pjesëmarrës në protestën e zhvilluar nga opozita e asaj kohë.

Me heshtje, lot në sy dhe karafila të kuq në duar, ata përkujtuan 6-vjetorin e ndarjes nga jeta të 4 protestuesve.

Bashkë me kryeministrin, ministra e deputetë u përkulën për të vendosur lule në pllakat përkujtimore, që ndodhen në vendet ku ata u vranë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë Kryeministrisë.

Në takimin përkujtimor që u zhvillua sot në Pallatin e Brigadave, rreth  orës 13:00 me familjarët e 4 të vrarëve, kryeministri Edi Rama siguroi familjarët se me Reformën në Drejtësi vendosja para ligjit e përgjegjësve të masakrës së 21 janarit është më afër se çdo vit i kaluar.