Rajon & Botë

Hollande: Brexit do të ketë një kosto të rëndë për Britaninë e Madhe

Presidenti francez, François Hollande i bëri të ditur Londrës se Brexit-i do të kishte një kosto të rëndë për Britaninë e Madhe, pas mbërritjes në samitin e 27 vendeve në Brukses që u zhvillua pa pjesëmarrjen e kryeministres britanike, Theresa May.

“Do të ketë një çmim dhe një kosto të lartë për Britaninë e Madhe (…) Kjo nuk duhet të jetë ndëshkuese, por në të njëjtën kohë është e qartë se Evropa do të dijë të mbrojë inresat e saj dhe se Britania e Madhe do të ketë një pozicionim jo të favorshëm të nesërmen e daljes nga BE-ja se brenda në BE”, theksoi Hollande, i cili mori pjesë në samitin e fundit evropian para përfundimit të funksionit të tij.

Sipas tij, mesazhi që dëshiron të japë sot është që Evropa duhet të japë besim në të ardhmen, një rrugëzgjidhje dhe jo probleme.

Nga ana e saj, kancelarja gjermane, Angela Merkel theksoi se dëshironte marrëdhënie të mira në të ardhmen me Britaninë e Madhe, por shtoi se së bashku me 27 vendet e BE dëshirojnë të mbrojnë interesat e tyre.