Partia Liberale e kryeministrit të Holandës, Mark Rute, ka fituar më së shumti vende në zgjedhjet e sotme parlamentare, derisa partia e djathtë ekstreme e Gert Vilders renditet e dyta, tregojnë rezultatet e anketave të bëra pas daljes nga vendvotimet.
Shërimi publik NOS ka bërë të ditur se partia e Rute do të fitojë 31 nga 150 vende në Parlament, derisa partia e Vilders do të ketë 19 vende, transmeton AFP.
Dalja e votuesve në zgjedhje ishte 73 për qind, që është për shtatë për qind më pak se sa ishte pritur, transmetojnë mediat holandeze.
Vendvotimet janë mbyllur në ora 21.00, pas të cilave priten të dalin edhe rezultatet e para nga disa ishuj të vegjël, të cilët i takojnë Holandës dhe qytete të vogla, thanë ekspertët, derisa rezultatet e para jo zyrtare dhe jo të plota pritet të dalin në ora 23.00, transmeton Deutsche Welle.
Në disa qytete të mëdha, si Amsterdami dhe Roterdami, rezultatet e votimit nuk do të dihen para mesnatës, transmeton “Guardian”.
Deri në ora 18.00 kanë votuar 55 për qind nga 12,9 milionë votues me të drejtë vote, ka bërë të ditur Instituti për hulumtime të qëndrimit publik.