Aktuale

Historianët e Deçanit, presion deputetëve: Fati i popullit tonë është në gishtat tuaj

Kryesia e Lidhjes se Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, në vazhdën e saj për të kundërshtuar Marrëveshjen e Demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, sot ka dërguar letër të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës duke ju theksuar se fati i popullit të Kosovës është në gishtat e tyre, shkruan Gazeta Express.

Të dashur deputetë dhe deputete të Kuvendit të Republikës se Kosovës,

Kanë mbetur edhe disa orë, deri kur në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në vendin më të lartë legjislativ të vendit tonë, të fillojë diskutimi dhe më pas miratimi i Marrëveshjes për Demarkacionin në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.

Ky është një moment i kthesës së madhe në historinë e Kosovës të pas luftës çlirimtare e cila përfundoi me lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë.

Fati i popullit tonë është në gishtat tuaj. Ju e keni në dorë që të vendosni copëtimin e Kosovës apo të i thoni jo copëtimit të Kosovës. Emrat e juaj, tashmë janë pjesë e historisë së vendit tonë. Një pjesë e juaj jeni nënshkrues të aktit të pavarësisë së 17 shkurtit të vitit 2008, një pjesë tjetër e juaj jeni aktivistë të devotshëm të viteve ’90 të shekullit XX, dhe një pjesë e juaja jeni pjesë e pandashme e luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të dashur deputetë dhe deputete të Kuvendit të Republikës se Kosovës,

Më 1 shtator 2016, emrat e juaj përsëri do të hyjnë në histori, por kësaj herë hyrja aty ka një kusht, kusht i cili është në duart tuaja. Të gjithë ju duke i thënë jo demarkacionit më Malin e Zi, do të mbeteni përherë burra e burrnesha të pavdekshëm, ndërsa ju që do të i thoni po demarkacionit me Malin e Zi, do të mbeteni përherë në faqen e zezë të historisë se vendit tonë.

Ju që do të i thoni po demarkacionit me Malin e Zi, do të i leni gjurmë të zezë vetës tuaj, familjes dhe fëmijëve tuaj.

Ne vlerësojmë dhe kemi vlerësuar si dhe e përsërisim prapë, që Komisioni Shtetëror i kryesuar nga Murat Meha, ka bërë punë skandaloze, duke lenë pjesë të tëra të Kosovës jashtë kufijve të saj.

Ju të nderuar deputetë dhe deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet të dini se kufijtë e Kosovës i kanë vendosur gjaku i shumë e shumë dëshmorëve të kombit, e jo lapsi i Murat Mehës dhe pjesës tjetër të komisionit. Ju duhet të dini se në brendësi të Komisionit Qeveritar ka njerëz që janë skandalozë, që kanë një të kaluar jo të mirë kombëtare e profesionale.

Të nderuar deputetë e deputete të Kuvendit të Republikës se Kosovës,

Me votë kundër demarkacionit me Malin e Zi, do të mbroni interesin e përgjithshëm të qytetarëve të Kosovës, do të ndalen shumë procese të tjera të liga për popullin tonë.

Në fund të kësaj letre, ju lutemi kujtoni delegatët e Kuvendit të Prizrenit të korrikut të vitit 1945, delegatë të cilët i thanë po aneksimit të Kosovës nga Serbia, po ashtu kujtojeni edhe delegatët e Kuvendit të Kosovës të marsit të vitit 1989 të cilët me dëshirë ia hoqën Kosovës elementin konstituiv, shikojeni se si sot ata i gjykon historia, andaj edhe ju nesër me 1 shtator 2016, jeni para dy rrugëve, ose të i thoni po copëtimit të Kosovës ose të i thoni jo copëtimit të Kosovës.

Vendosi vet, por nesër historia do të gjykoj veprimin e juaj.

Kaloni diktatet dhe vendimet e forumeve të partive, sepse tash jemi në demokraci dhe nuk jemi në sistemin parti-shtet.

Duke ju uruar punë të mbarë, në emër të Kryesisë dhe të gjitha strukturave dhe anëtarësisë së Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, ju ftojmë që të i thoni jo demarkacionit me Malin e Zi dhe i gjithë procesi të kthehet në pikën zero.

Sinqerisht,

Kryesia e Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan.