Arsim & Kulturë

Histori mërgimtarësh bashkohen në ekranin e madh

Historinë e ikjes së shqiptarëve nga Kosova, nëpërmjet rrëfimit të babait të saj e ka dokumentuar regjisorja e re Dea Gjinovci.

Ajo sjell pamje arkivore, por edhe ato të xhiruara me babanë e saj, i cili rikujton rrugëtimin e largimit nga Kosova në vitin 1968 për të përfunduar në Zvicër, shkruan sot Koha Ditore.

Dokumentarin e ka titulluar “Sans le Kosovo”.

Rikthimi i tij në vendlindje përcillet me emocione dhe vë në pah një pjesë të historisë nëpër të cilën ka kaluar populli shqiptar në Kosovë.

Për rikthimin e mërgimtarëve a të refugjatëve kosovarë flet edhe filmi i shkurtër “The Remigrant”, me të cilin aktori kosovar Astrit Alihajdaraj debuton si regjisor.

Tema e migrimit, në këtë film trajtohet ndryshe prej “Sans le Kosovo”. Së pari është film artistik dhe së dyti personazhet kryesore nuk rikthehen për vizitë, por për të jetuar në Kosovë.