Rajon & Botë

Hillary Clinton fajëson FBI’në për humbjen në zgjedhje

Hillary Clinton ka fajësuar drejtorin e FBI-së, James Comey, për humbjen e saj befasuese në zgjedhjet presidenciale të së martës gjatë një bisede me financuesit e saj kryesorë të fushatës, kanë thënë dy pjesëmarrës të kësaj bisede.
Clinton ishte parashikuar si favorite në pothuajse të gjitha sondazhet kombëtare publike me opinionin. Por, zgjedhjet i fitoi republikani Donald Trump, duke tronditur shumë qytetarë amerikanë në mbarë vendin e që ka nxitur protesta në shumë shtete.

Clinton nuk ka pasur paraqitje të shumta që nga humbja e saj, përpos fjalimit të saj ku e pranoi humbjen të mërkurën në mëngjes.

Në bisedën e saj telefonike të së shtunës me përkrahësit e saj, Clinton tha se kampi i saj kishte mbledhur 900 milionë dollarë nga mbi 3 milionë donatorë individualë, gjithnjë sipas dy pjesëmarrësve në këtë bisedë të përbashkët telefonike që kanë biseduar me Reutersin, transmeton koha.net.

Clinton tha se Comey ka qenë fajtor i humbjes së saj pasi kishte vendosur që t’i dërgonte një letër Kongresit vetëm pak ditë para zgjedhjeve përmes së cilës ai thoshte se do të riniste hetimet në rastin e keqmenaxhimit të informatave konfidenciale kur kishte përdorur emailin e saj privat gjatë mandatit të saj si Sekretare e Shtetit nga 2009 deri më 2012.

Comey, vetëm një javë më pas tha se kishte rishikuar të gjithë emailat dhe kishte vazhduar të besonte se ajo nuk do duhej ndjekur penalisht, por se dëmi politik veçse ishte bërë, transmeton Koha.net.

Clinton u tha donatorëve se Trump diti të shfrytëzonte mirë deklaratat e Comeyt për të sulmuar atë, thonë pjesëmarrësit e bisedës telefonike.

Ndonëse letra e dytë e pastronte atë nga keqbërja, Clinton tha se kjo i bëri përkrahësit e Trumpit të besojnë se sistemi ishte manipuluar në favor të saj dhe i motivoi ata për t’u mobilizuar në ditën e zgjedhjeve.

Asnjë prej zëdhënësve të Clintonit nuk ishin në dispozicion për të komentuar këto deklarata.