Aktuale

Heshtje në VV – Ku po fshihet Albin Kurti, i painteresuar të mandatohet për kryeministër

Ashtu siç e kishte pritur vet Kurti, ai u ftua nga presidenti Thaçi për t’u mandatuar për formimin e qeverisë së re.

Takimi nga presidenti Thaçi u thirr për sot në orën 13:30 në objektin e presidencës, shkruan lajmi.net.

Mirëpo, Kurti e refuzoi takimin. Nga partia e tij u arsyetuan se kryetari ndodhet jashtë Prishtinës, dhe e ka të pamundur të takohet me presidentin.

Nga zyra për informim e VV-së, për lajmi.net thanë se Kurti do ta njoftojë presidentin në ditët në vazhdim për datën kur ka mundësi për takim.

Mirëpo, në përgjigjen që zyra për informim u ka dërguar të gjitha mediave, nuk është bërë e ditur vendndodhja e Kurtit, apo aktiviteti në të cilin ai po merr pjesë jashtë Prishtinës.

Lajmi.net ka tentuar të kontaktojë më zyrtarë të VV-së për të marrë detaje lidhur me vendndodhjen e Kurtit, mirëpo pavarësisht insistimit, ata nuk janë përgjigjur.

Sidoqoftë, Kurti raportohet se është parë në Prishtinë, dhe ftesën për takim nga presidenti e ka refuzuar qëllimisht.

Nuk shkoi shumë kohë, e Thaçi ia dërgoi ftesën e dytë Kurtit për takim në orën 20:00.

Ndaj të njëjtës, Vetëvendosje nuk është përgjigjur ende, teksa nuk dihet nëse kryetari i partisë do të paraqitet në takim.

As në këtë rast, asnjëri prej zyrtarëve të VV-së nuk ka qenë i qasshëm për të konfirmuar një gjë të tillë.

I vetëdijshëm për fillimin e rrjedhjes së afatit kohor prej 15 ditësh për formimin e Qeverisë, Kurti si duket po mundohet të përfitojë sa më shumë në kohë për të arritur një marrëveshje eventuale për formimin e Qeverisë.

Lëvizja Vetëvendosje dje ka djegur njërën prej pozitave kryesore të negocimit me LDK-në, duke e votuar Glauk Konjufcën për kryeparlamentar, pozitë kjo e premtuar për Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Vlen të theksohet se para mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 6 tetorit, Kurti në deklaratat e tij publike të bëra në debate të ndryshme, shprehej se obligim i presidentit është që nëse ai i fiton zgjedhjet, ta thëras në takim për ta mandatuar.

Ndërkaq, mbetet të shihet se kur do ta përmbush edhe Kurti obligimin e tij, që t’i përgjigjet ftesës së presidentit dhe si fitues i zgjedhjeve të fillojë me formimin e qeverisë, mision që e ka shumë të vështirë ta përmbush për shkak të dështimit të marrëveshjes me LDK-në. 

the authorGazetaKNN