Aktuale

Heshtje në VV, ende asnjë fjalë për letrën e presidentit Thaçi dërguar Albin Kurtit

Një letër e re është dërguar sot në adresë të kryetarit të VV-së, Albin Kurti nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

Në të, presidenti ka kërkuar përgjigje nga Kurti, ashtu siç ishin dakorduar në takimin e të hënës, për marrjen e mandatit për formimin e qeverisë dhe afatet e përcaktuara.

“Si President i Republikës së Kosovës jam i obliguar që të ndërmarr veprime pa vonesa të mëtejme, duke ndjekur të gjithë hapat kushtetues që qytetarët e Republikës së Kosovës ta kenë sa më shpejtë qeverinë e tyre. Duke marrë parasysh parimet demokratike, transparencën dhe korrektësinë politike, ua kam dhënë mundësinë dhe kam kërkuar në vazhdimësi që ta propozoni kandidatin/en për Kryeministër”, i ka shkruar Thaçi-Kurtit, duke theksuar se ka parasysh edhe Pikën 87 të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. K0103/14,  e cila vëren “se nuk përjashtohet që partia ose koalicioni në fjalë do të refuzojë të marrë mandatin”, thuhet në letrën e presidencës.

Mirëpo, deri tani, presidenti nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga Vetëvendosje.

Deputeti i VV-së, Haki Abazi ka thënë për lajmi.net se ende nuk ka ndonjë qëndrim nga partia e tij, dhe se për këtë duhet të pritet reagimi zyrtar i partisë.

“Nuk ka ende qëndrim lidhur me këtë. Besoj se duhet të pritet deri tek qëndrimi zyrtar i partisë”, ka thënë shkurtimisht Abazi, që nga kryetari i partisë, Albin Kurti është përcaktuar të jetë zëvendëskryeministër i qeverisë së ardhshme.

Sidoqoftë, në cilindo rast, të pranimit apo refuzimit të mandatit, Thaçi ka kërkuar nga Kurti që ta njoftojë për një gjë të tillë në mënyrë që t’i ndërmarr të gjithë hapat e përcaktuar në Kushtetutë dhe të dekretoj kandidatin/en për Kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës. /Lajmi.net/

the authorGazetaKNN