Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, e ka quajtur dorëzim para Serbinë, në qoftë se Qeveria e Kosovës e heq taksën e vendosur për mallrat serbe dhe ato boshnjake.
Aliu ka theksuar se premtim për njohjen e Kosovës nga Serbia pati edhe kur filluan negociatat para tetë vjetëve, por e gjitha ishte mashtrim.
“Premtim për njohje nga Serbia në fund të negociatave kishim para fillimit të negociatave në Bruksel. Rezultatin e tyre e kemi të qartë, kompromise të njëanshme ndaj Serbisë dhe përkeqësim të pozicionit të Kosovës si ndaj Serbisë, po ashtu edhe ndaj faktorit ndërkombëtar. Premtimi për njohje ishte vetëm mashtrimi që shërbeu për të mundësuar fillimin e negociatave”, ka thënë Aliu.
Sipas deputetit të LVV-së, futja ne negociata të reja, sërish me premtimin se do te kemi njohje në fund të tyre, sërish nuk do të sjellë njohje, por pashmangshëm kompromise të reja.
“Pa njohje paraprake nga Serbia, do të kemi përsëritje të cikleve negociatore me thellim të kompromiseve. Qeveria kur vendosi taksën ndaj mallrave serbe, premtoi se nuk do të ketë heqje të saj pa njohje nga Serbia, dhe ky është pikërisht një moment kthese për Kosovën. Tani, qeveria jep shenja se do të mund ta heqë këtë taksë nëse do të kishim negociata në të cilat na “premtohet” njohja në fund. Në rast se diçka e tillë do të ndodhë, kjo nuk do të jetë asgjë tjetër pos dorëzim i shtetit të Kosovës ndaj Serbisë”, ka theksuar Aliu përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook.
Ai ka shtuar me tutje se në rast të kompromiseve të reja, atëherë nuk duhet habitur edhe kur të ndodh ndarja e vendit dhe prapakthimi nga shpallja e pavarësisë.
“Te mos habitemi pastaj kur të pasojnë kompromise të reja, ndarja e vendit dhe prapakthimi nga shpallja e pavarësisë dhe vendimi i GJND-së. Të mos harrojmë se sa serioz ishte premtimi për liberalizim të vizave në rast se e kalojmë demarkacionin. Taksa për mallrat serbe nuk duhet të hiqet pa njohje nga Serbia”, u shpreh ai.
Deputeti Aliu ka thënë se të gjithë duhet të jenë në mbështetje të vendimit për taksën ndaj mallrave të Serbisë, pasi kjo është rruga e drejtë. /FaktePlus





















