“Jam shumë optimist për të ardhmen e Kosovës, sepse ka një gjeneratë të re që është shumë e kualifikuar, e kam fjalën për ata që janë këtu dhe jo për ata që dëshirojnë të ikin nga Kosova. Ju them se në Gjermani nuk ka gjithmonë mjaltë”. Këto deklarata i bëri Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, në një ligjëratë për studentët e Kolegjit AAB me temën “Politika e jashtme Gjermane dhe roli i saj në Ballkan”.
Ai tha se Kosova është duke shkuar në rrugën e duhur drejtë integrimeve evropiane, duke thënë se nuk do të mungojë mbështetja e miqve ndërkombëtarë, mirëpo vazhdon ai, punën më të madhe duhet ta bëjnë institucionet e Kosovës.
“Po shpresojmë që Gjermania të ketë një rol konstruktiv në çështjen e Kosovës. Evropa është diçka që ne besojmë se do të jetë gjithmonë e pranishme këtu. Ajo se çfarë bëjnë politikanët kosovarë është gjëja më e rëndësishme. Kosova është në hartën e Evropës dhe është në Bashkimin Evropian në të ardhmen. Jemi këtu që të ju ndihmojmë, por Kosova ka gjëra që duhet të bëjë vetëm”, tha ambasadori gjerman.
Ai porositi që kosovarët duhet të punojnë me ato mundësi që kanë dhe të mos të shikojnë në mundësitë e shteteve të tjera, pasi që në këtë mënyrë, ata nuk do të mund të bëjnë ndryshime në shtetin e vet.
Ambasadori gjerman në këtë ligjëratë foli edhe për historikun dhe sfidat me të cilat u përballën shteti Gjerman në të kaluarën, pastaj për politikën e jashtme gjermane, e në veçanti për rolin e saj në Ballkan.
Në këtë ligjëratë u zhvillua edhe pjesa e debatit, ku studentët e pranishëm patën mundësinë të parashtrojnë pyetje, të cilave iu përgjigj diplomati gjerman në Kosovë, Christian Heldt. /GazetaKNN/