Lutfi Haziri, kryetar i Degës së LDK-së në Gjilan dhe kandidatët për deputet nga radhët e kësaj partie, kanë parë pritje të jashtëzakonshme në lagjet “Dheu i Bardhë”, “Baja” e “2 korriku”.
Kreu i LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri, theksoi se masoiviteti në “Dheun e Bardhë” tregoi se ushtarët e Ibrahim Rugovës po shtohen përditë.
“Masoviteti juaj tregon për fuqinë e koalicionit të LDK’së. Këta ushtarë të mirë po shtohen përditë dhe ne po bëhemi edhe më shumë sepse ushtari i Ibrahim Rugovës është mjeku, mësuesi, kryefamiljari, nënat e baballarët”, tha kreu i LDK-së dhe i Komunës së Gjilanit, duke dhënë vlerësim edhe për koalicionin rival.
“Dallimi mes koalicionit të LDK-së dhe koalicionit rival është si nata me ditën. Dua ta them edhe këtë në këtë tubim madhështor se LDK nuk është parti e kusherinjve dhe dajve, por e popullit. Për dallim prej tjerëve, në LDK vije në shprehje konkurrenca dhe vlera”, tha kryetari Haziri, për të vazhduar se “jemi bashkuar me partnerët sepse krejt ata janë filozofi e Ibrahim Rugovës dhe votues të LDK’së. Ne kemi bashkuar dijen tonë”.
Kandidatja Lirije Kajtazi, gjatë adresimit para simpatizantëve të LDK-së, ka theksuar se për ta mposhtur të keqen, duhet të kemi këso mbështetje sikur në “Dheun e Bardhë”.
Imet Rrahmani, kandidati tjetër i LDK-së nga Gjilani, tha se sa më shumë tubime që po bëhen, aq masive po janë ato dhe kjo flet se fitorja do të jetë e madhe më 11 qershor.
Kandidatja Valentina Bunjaku Rexhepi, ka falënderuar këto lagje për mbështetjen, duke shtuar se nuk ka kandidatë më të mirë për t’i votuar se lista e Lidhjes Demokratike e Kosovës.
Ndërsa, kandidati tjetër për deputet, Isa Agushi, ka premtuar dhe siguruar qytetarët se do t’i përfaqësoj denjësisht në Kuvendin e Republikës, duke qenë zë i fuqishëm i tyre.
Avdil Halimi dhe Nehat Emërllahu, kandidatë të koalicionit, theksuan se LDK duhet të fitoj 50 për qind të votave, për një shtet ligjor dhe të barabartë për të gjithë./KosovaPress/