Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu në një intervistë për lajmi.net ka thënë se ky subjekt politik nuk iu beson deputetëve të mazhorancës për çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.
Sipas Haxhiut, deputetët e mazhorancës që janë kundër marrëveshjes së Vjenës mund të ndryshojnë qëndrimin për demarkacionin qoftë për shkak të presioneve që iu bëhen nga pushteti apo edhe për ndonjë “pazar”, prandaj ka thënë se nuk do të lejojnë që kjo marrëveshje të votohet në Kuvend.
Haxhiu ka thënë se ky Vetëvendosje do të vazhdoj ta kundërshtoj marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi me metodat e njëjta që i ka përdorur deri më tani, duke përfshi edhe gazin lotsjellës.
Ndërsa e pyetur se si do të arsyetohet para qytetarëve skena politike për mosliberalizim të vizave për shkak të mos ratifikimit të demarkacionit, Haxhiu ka thënë se Kosova nuk ka tokë për të falur në emër të liberalizimit. Për më tepër ajo është shprehur e bindur se liberalizimi i vizave nuk do të ndodhë edhe nëse ratifikohet demarkacioni.
Në këtë intervistë deputetja Haxhiu poashtu ka thënë se tashmë është e qartë se vendi shumë shpejt do të shkoj në zgjedhje të parakohshme dhe ka shprehur bindjen e Vetëvendosje do të jetë fituese e këtyre zgjedhjeve.