Aktuale

Haxhiu: Publikimi i videove, tendencë për propagandë

Lëvizja Vetëvendosje konsideron se hetimet për vdekjen e Astrit Deharit në Burgun e Prizrenit janë duke u administruar në mënyrën më të keqe të mundshme.

Për këtë, deputetja Albulena Haxhiu në një konferencë për media tha se mbrëmë hetuesia kishte vendosur që xhirimet e kamerave nga korridori i burgut në ditën e vdekjes t’i plasonte opinionit publik përmes mediave. Ky publikim i xhirimeve, sipas saj,  e tregon tendencën e hetuesisë për ta drejtuar opinionin publik drejt propagandës së tyre, e kështu larg të vërtetës.

Haxhiu më tej shtoi se këto incizime asnjëherë nuk iu dorëzuan as avokatit të angazhuar nga familja për rastin e aq më pak familjes.

“Hetuesia e prokuroria nuk po e zbardhin rastin, por po duan ta ndërtojnë atë. Ashtu siç atyre ua do mendja e zemra. Njësoj ka ndodhur edhe me rastin e arrestimit të aktivistëve tanë, për veprën penale te terrorizmit, ku u munduan kinse me anë të fotografive  të plasuara në opinionin publik të cilat  nuk thonë asgjë, t’i mbajnë të mbyllur për më shumë se dy muaj aktivistët tanë”, tha Haxhiu.

Sipas Haxhiut publikimi i mbrëmshëm i xhirimeve flet për profesionalizmin dhe paanshmërinë e hetuesisë e Prokurorisë në këtë rast.

“Kjo nuk është zbardhje e rastit. Prandaj një hetim i besueshëm për këtë rast që do ta zbardhte  të vërtetën për vdekjen tragjike te Astritit është vetëm një hetim i kryer nga hetues të pranueshëm për familjen dhe me kredibilitet profesional e etik”, tha deputetja Haxhiu.

Sipas  saj “Policia e Nexhmi Krasniqit, e prokuroria e Sylë Hoxhës, këto institucione të shtetit të kapura e të klanit ‘Pronto’ nuk janë as të paanshme, as kredibile, as profesionale as të besueshme”. /KP