Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka thënë se Ramush Haradinaj jo vetëm që nuk është më kryeministër, por nuk ka të drejtë t’i drejtohet as Gjykatës Kushtetuese.
Ajo bëri këto deklarata menjëherë pasi Haradinaj doli nga mbledhja e qeverisë dhe mbajti një konferencë për media, ku tha se do t’i drejtohet Kushtetueses për të sqaruar situatën e krijuar pas dorëheqjes.
Deputetja Haxhiu tha se Haradinaj si duket nuk po e kupton që më nuk është kryeministër dhe duhet të largohet nga kryeministria, si ai ashtu edhe ish ministrat e tij.
Ajo tha se Haradinaj, si erdhi në qeveri e filloi punën me skandale dhe e përfundoi mandatin me skandale.
“Sot, tha që do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për ta pyetur se çfarë vendimesh ka të drejtë të marr. Ky nuk po e kupton ose nuk po do ta kuptoj që nuk është kryeministër dhe as nuk ka të drejtë ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese, le ta sheh nenin 113 të Kushtetutës i cili specifikon jurisdiksionin dhe palët e autorizuara pranë Gjykatës Kushtetuese”, tha Haxhiu.
Ajo ka kërkuar që zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të mbahen sa më parë./FaktePlus