Deputetja Albulena Haxhiu tha se procesi gjyqësor ndaj deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend është i padrejtë, ndërsa ka akuzuar gjyqtarin Beqir Kalludra se nuk ka guxim të marrë asnjë veprim ndaj kryeparlamentarit Kadri Veseli, i cili ishte paraparë që të dëshmojë në seancën e sotme.
Pasi që gjyqtari Kalludra vendosi të largojë nga seanca Haxhiun dhe deputetin tjetër Fatos Topalli, deputetja Haxhiu tha se po përndiqen padrejtësisht për veprime brenda Kuvendit të Kosovës.
“Vetëm pse ne si deputet që jemi të akuzuar kërkuam që Prokurori mos të tërhiqet nga dëshmia Kadri Veseli u përjashtuam secili me radhe fillimisht unë, pastaj Faton Topalli pastaj Albini pastaj Donika”, tha ajo.
Sipas saj, gjyqtari Beqir Kalludra me qëllim e shtyu seancën për në orën 10:00, e cila ishte planifikuar të mbahej në ora 09:00 për të arsyetuar mungesën e Kadri Veseli, i cili ishte paraparë të dëshmonte në këtë seancë.
Haxhiu tha se gjyqtari Kalludra ka presion të madh nga Kadri Veseli dhe për këtë arsyeje Kalludra nuk ka guxim që të ndërmarrë asnjë veprim ndaj tij.
“Është e qartë dhe në vazhdimësi po dëshmohet se ky sistem është i kapur dhe ky gjyqtar ka presion të jashtëzakonshëm nga vetë Kadri Veseli dhe klani Pronto. Kjo është arsyeja pse ai nuk e ka guximin dhe nuk ndërmerr asgjë sa i përket Kadri Veselit, as nuk e dënon me gjobë, as nuk e sjellë me urdhër për të dëshmuar”, tha ajo.
Deputetja e LVV-së bëri të ditur që ata si të akuzuar kanë të drejtë për një listë të dëshmitarëve dhe duke pasur parasysh këtë ata kanë krijuar një listë të dëshmitarëve në të cilën do të jetë i përfshirë Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, Fatmir Limaj dhe kryetari i Komisionit për demarkacion, Shpejtim Bulliqaj.
Haxhiu tha se seanca do të vazhdojë me mbrojtjen dhe se presin që t’i ndërpritet masa e paraburginit Albin Kurtit dhe Donika Kadaj-Bujupit, pasi nuk ka kuptim që ata të vazhdojnë të mbahen në paraburgim.
Ndërsa, deputeti Faton Topalli tha se kjo gjykatë është krejtësisht e politizuar dhe se gjyqtari nuk i lejoi dëshmitarët që të përgjigjet lidhur me motivet e kundërshtimit nga deputetët e akuzuar për hedhje të gazit lotsjellës.
Ai po ashtu tha se gjykatësi nuk ka lejuar që emri i kryeministrit Ramush Haradinaj dhe zëvendës kryeministrit, Fatmir Limaj të futej në procesverbal sa herë që emri i tyre është përmendur nga dëshmitarët për rastin, dhe sipas tij ka një përpjekje nga Kalludra që t’i merr vetëm deklaratat që shkojnë në dëm të të akuzuarve./kp