Deputeti i Nismës Zafir Berisha, ka akuzuar presidentin e Kosovës Hashim Thaçin, pas vendimit të KQZ-së, që Berisha të mos mund të kandidoj më për kryetar të Prizrenit në zgjedhjet lokale.
Berisha ka thënë që ky nuk është vendim i KQZ-së, por i presidentit të Kosovës Hashim Thaçit.
“Ky është vendimi i kryebanditit dhe i krye hajnit Hashim Thaçit, e jo vendim i KQZ-së, sepse flitet për një dënim për 140 euro për një organizatë kriminale turko-kosovare, që e ka privatizu KEK-u, mbas të cilës qëndron Thaçi, ai më çdo kusht don që unë të mos jem në garë”, tha Berisha për Gazeta Blic.
Berisha theksoi, se këto ligje kanë qenë edhe atëherë kur ishte kandidat për deputet, por nuk ka pasur probleme të tilla.
“Unë jam ky person që para tre muajve jam kanë, me këto ligje në garë po bëjka me kanë deputet, e ministër, por jo kryetar i Prizrenit”, tha ai.
Më tej deputeti akuzoi Hashim Thaçin për presionin që vazhdimisht i ka bërë atij.
“Ai është kryekriminel i të gjitha zhvillimeve, ligji u dasht me vlejte edhe para tre muajve, fundi i fundit nëse u kanë ndonjë vepër e rëndë isha tërheq vetë nga gara, ndërsa Hashimi po i bënë dëm Kosovës më 30 miliona euro, e unë kam pas punë më organizatë private e jo shtetërore e cila është duke më bërë presion që sdi sa vite, vetëm e vetëm që të vijë në këtë situatë”, pohoi Berisha për Gazeta Blic.