Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), të shtunën mbajti tubim mospajtues për gjendjen në Kosovë, ku ishin të pranishëm qindra qytetarë dhe simpatizant që i bashkoheshin kësaj kauze.
Në takim u prezantua një video-mesazh për të sqaruar ngecjet e Republikës së Kosovës, që iu adresuan udhëheqësve të vendit gjegjësisht qeverisë. Ngecje këto të cilat ishin renditur që nga deklarata e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Isa Mustafa rreth qeverisjes së lirë dhe me mirëkuptim nga populli, u pasua me deklaratën e po të njëjtit, i cili kishte thënë se ka përkrahjen e opozitës për qeverisjen e shtetit.
Përmes kësaj videoje u tha se “viktimat e para të këtij mashtrimi ishin 100 mijë qytetarë që braktisën vendin”. Më pas u rikujtuan deklaratat e ministrit për Kthim dhe Komunitete, Aleksandar Jabllanoviç, i cili kishte thënë se “Nënat e Gjakovës janë egërsira”. Po ashtu, u shfaqen video të protestuesve që dolën në mbrojtje të Ligjit për Trepçën dhe kundër demarkacionit. Po ashtu, fol për mos krijimin e ushtrisë, dështimi në UNESCO, si dhe afera “pronto”, e shumë të tjera.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj tha se Kosova dhe qytetarët e saj vazhdojnë të mbeten më të izoluarit në Evropë. Sipas tij, udhëheqësit vazhdojnë të mashtrojnë qytetarët me liberalizim të vizave, por Evropa nuk e pranon Kosovën me nivelin e tanishëm të rendit dhe ligjit. Haradinaj, shtoi se zyrtarët shtetërorë janë të ndjekur nga ligji për krim dhe korrupsion, por ata assesi nuk po e marrin dënimin e merituar, sepse “nuk po i kap radari i ligjit”.
“Kosova vazhdon me mbet vendi më i izoluar në rajon e në Evropë, e ne qytetarët e Kosovës vazhdojmë me mbet qytetarët më të izoluar në botë. Pushtetarët ata që kanë kapur shtetin, mashtruesit vazhdojnë me mashtruar për liberalizimin e vizave, herë duke shfajësuar veten e herë duke fajësuar të tjerët. Por e vërteta është, që Evropa nuk na pranon kështu me këtë gjendje në rend dhe ligj, nuk na i hap dyert ne Kosovës me këtë shkallë të krimit e të korrupsionit në institucione, janë dhjetëra zyrtarë shtetërorë të të gjitha niveleve që i ndjek ligji për krim e korrupsion, por që kurrqysh nuk po e marrin dënimin e merituar, ka edhe plot të tjerë, të cilët nuk i kap radari i ligjit e që janë të zhytur deri në fyt”, tha Haradinaj.
I pari i kësaj partie Ramush Hradinaj, theksoi se ka ardhur koha të veprohet sipas ligjit dhe të zbatohet në mënyrë të njëjtë për të gjithë, të kemi Zyrë nacionale të hetimit, të kemi Gjykatë të auditimit, pavarësisht asaj që sipas tij udhëheqësit e vendit tonë, po e vështirësojnë jetën e dinjitetshme të qytetarit të saj. Haradinaj, tha se nuk është e vërtetë që Kosova nuk ka para të mjaftueshme, përkundrazi arsyeja e gjendjes së tanishme sipas tij, është që pushtetarët kanë kapur shtetin dhe po e varfërojnë qytetarin.
“Ka ardhur koha që të veprohet me ligj për të gjithë, ka ardhur koha që të kemi edhe Byro nacionale të hetimit, ka ardhur koha që të kemi Gjykatën e auditimit, ka ardhur koha që të vendoset ligji në të gjitha sferat e jetës. Është koha që në Kosovë edhe pse pushtetarët na thonë se s’mund të jetohet me dinjitet, të fillojmë jetën tonë me dinjitet, nuk është e vërtetë që në Kosovë nuk ka pare e s’mund të jetohet, por janë pushtetarët ata që kanë kapur shtetin, e që e kanë kapur edhe buxhetin, por po ashtu që po hyn edhe në xhepat e juaj, po i varfërojnë çdo ditë qytetarët edhe po e rrezikojnë vendin”, tha kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Veç tjerash, Ramush Haradinaj, si garantues për zhvillimin e vendit, cilësoi planet e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe strategjitë afatgjate të tyre për vitet 2017-2027. Ai tha mënyra e vetme e fuqizimit të Republikës së Kosovës është duke zhvilluar vendin dhe duke përfunduar punët e pa përfunduara apo të kryera keq, Kosova do të bëj hapa drejt integrimit, NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës./L.Ademaj/