Aktuale

Haradinaj i vendosur: Mendoni mirë para se ta ekstradoni Ramushin në Serbi

Reagimi i përfaqësuesve diplomatik të akredituar në Kosovë, të institucioneve të Kosovës e shumë akterëve tjerë, ka bërë që deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj të sqaroi deklaratën e tij dhënë ditë më parë rreth reagimit që do të ndodhte në vend, në rast të ekstradimit të vëllait të tij, Ramush Haradinajt në Beograd.

Ai në seancën e sotme të Kuvendit ka thënë se një deklaratë të tillë e ka dhënë me plotë vetëdije, porse ajo deklaratë është kapur për bishti dhe kujt i ka konvenuar ajo le të mbajë përgjegjësi.

Haradinaj theksoi se ka tendenca për ta destabilizuar këtë vend, derisa ua ka rikujtuar diplomatëve në Kosovë se e kanë gabim që po e mbajnë një njeri peng për qëllime të caktuara.

 

“Unë kam fol dhe përsëriti edhe një herë, duhet të kemi kujdes, sepse nuk luhet me kombin tonë. Nuk ka provokim më të madh se sa nëpërmjet një njeri ta destabilizimi i vendit. Nëse e kanë atë qëllim le t’i implementojnë ato agjenda diku tjetër. Këtë duhet ta dinë edhe diplomatët se po e mbajnë një njeri peng për qëllime të caktuara e që e kanë shumë gabim. Askush më shumë se sa unë vet nuk e donë paqen dhe stabilitetin e Kosovës, asnjë prej qeveritarëve serb nuk e kanë ruajtur as serbët e Kosovës, as monumentet historike as kulturore, por i kemi ruajtur vet se e kemi kulturë si shqiptarë. Ata që po tentojnë destabilizojnë e që janë udhëheqës në Beograd duhet me ditë mirë që nuk lëshojmë pe më. Përgjigjen e njëjtë do ta kenë siç e kanë marr 1998-1999. Kurrkush nuk na ka sjellë lirinë, e kemi fituar vetë me ndihmën e miqve tanë. Asnjëherë nuk kam thënë se duam spastrim etnik të Kosovës, por nëse me ndojnë që nëpërmes një njeri dhe me transferimin e tij në Beograd duhet t’ia vënë gishtin kokës, me pas kujdes, ata janë duke tentuar ta spastrojnë Kosovën, jo Daut Haradinaj. Nëse duan të luajnë me zjarr, atëherë puna e mbar u qoftë”, ka thënë Haradinaj.

Në pikën jashtë rendit të ditën pati edhe deklarime tjera. Deputeti i Vetëvendosje, Rexhep Selimi foli rreth projektligjit për transformimin e FSK-së në ushtri, duke e akuzuar presidentin e vendit se mashtroi opinionin kur nisi procedurat për themelimin e ushtrisë pa ndryshime kushtetuese. Selimi ka dhënë arsyet pse Kosova ende nuk ka ushtri, elementin kryesor të shtetësisë.

 

“Nuk kemi ushtri sepse qeverive të Kosovës iu ka munguar vizioni dhe vullneti politik për një gjë të tillë. Nuk kemi ushtri sepse qeveritë e Kosovës nuk e kanë bërë punën e domosdoshme që Kosova ta kishte ushtrinë e saj. Kurse sot, nuk e kemi në rend dite as Projektligjin për FSK-në sepse në zyrën e presidencës kemi një njeri manipulant. Në zyrën presidenciale kemi një njeri i cili asnjëherë nuk e pa të nevojshme ta garantojë atë që vraponte ta shpallte me egoizëm – pavarësinë e vendit. Një njeri i cili po vazhdon edhe sot e tutje të luaj me diçka që nuk luhet, me sigurinë e vendit, rrjedhimisht me sovranitetin e Republikës”, theksoi Selimi.

Sipas Selimit, presidenti Thaçi me aventurat e tij egoiste sot ka vënë në rrezik edhe të tashmen dhe të ardhmen e ushtrisë së Kosovës, ka vënë në rrezik partneritetin me aleatët strategjikë të Kosovës, me NATO-n, SHBA-të dhe BE-në.

Deputeti i VV-së, shtoi se ushtria i duhet edhe Kosovës, por edhe vetë NATO-s dhe partnerëve tanë strategjikë.

Ndërsa, shefja e deputetëve të Nisma për Kosovën, Valdete Bajrami e quajti koalicionin PDK-LDK, si koalicioni më të dëmshëm për vendin, koalicion që shkatërrojë çdo institucion të varur e të pavarur prej saj.

 

“Shtrohet pyetja se kujt po i konvenon kjo situatë kështu? Sepse, kur kishit të miratonit marrëveshje e ligje të dëmshme, ju shkonit edhe nëpër tavane duke improvizuar salla, ndërsa kur ju është kërkuar që të punoni për mirëqenien e qytetarëve, për ndërtimin e shtetit, për arsim, për shëndetësi, për zhvillim ekonomik, për bujqësi, për drejtësi, për ta luftuar krimin e korrupsionin, ju jeni sjellë si të shurdhur ndaj vërejtjeve tona….E tash ju ka ra ndërmend të dilni dhe t’i dëgjoni qytetarët për hallet e tyre të rënduara nga politikat e këtij koalicioni, e arsyet tashmë janë të ditura, jemi në një vit zgjedhor. Thua se qytetarët e kanë obligim t’i kryejnë ose t’i përmbushin premtimet tuaja, e jo ju”, tha ajo.

Sipas saj, kjo Qeveri nuk mund t’i ikë përgjegjësisë me ture, përgjegjësisë për mashtrime, për gënjeshtra, për dëmet e bëra për 3 vjet gati qeverisje.

Deputeti i PDK-së, Bislim Zogaj përsëri ka ngritur çështjen e mos dhënies së vërtetimeve për kategoritë e dala nga lufta, të cilët nuk po mund ta gëzojnë pensionin, edhe pse e kanë fituar të drejtën e pensionit.

 

“Para dy jave ka filluar punën komisioni për dhënin e vërtetimet e veteranëve të luftës, fillimin e punës së këtij komisioni e përshëndesim por për mua është e pakuptueshme dhe e papranueshme përse nuk ka filluar dhënia e vërtetimeve edhe për familjeve të dëshmorëve të kombit të luftës së UÇK-së, si dhe dëshmorëve të mëhershëm, kur tani dihet se statusi u është pranuar dhe listat janë të gatshme ku numri i tyre është shumë fish më i vogël se sa numri i veteranëve. Pastaj, pse nuk po formohet komisioni për njohjen e shkallës së invaliditetit të cilëve u është pranuar statusi i invalidit”, tha Zogaj.

Në këtë pikë të rendit të ditës, pati edhe çështje tjera që u ngritën, siç ishte ajo nga deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu rreth mos zbardhjes së rastit të rrahjes së aktivistit të tyre. Ajo tha se sulmet dhe kërcënimet nuk i zmbrapsin, madje veç sa ua shtojnë radhët. /kp