I nominuar për kryeministër nga PDK-AAK-Nisma Ramush Haradinaj, sot gjatë vizitës në Trepçë tek Sindikata e Pavarur e Minierave tha se kërkesat e punëtorëve ishin të shumta.
Ai u shpreh optimist se me qeverisjen e tij do të fillojë puna në Trepçë, derisa premtoi se do të kthehet në gjigantin ekonomik të vendit.
“Kryetari Shyqri Sadiku dhe bashkëpunëtorë të tjerë paraqiten kërkesa që janë shumë reale që kanë të bëjnë me stazhin e punës, me pensionet daljen në pension që kanë të bëjnë me punësimin pastaj edhe me kushtet tjera garderoba mjetet e dëmtuara në punë . Kishte edhe probleme të tjera që lidhen me menaxhmentin me dukuritë e këqija por ajo që mendoj që kemi ra dakord sot të gjithë është se do të punojmë si palë bashkë, edhe qeveria, sindikata, menaxhmenti për me mujt me u nis Trepça, jam optimist se ka me u nis ” , tha Haradinaj.
E kryetari i sindikatës së Trepçës, Shyqri Sadiku , në takimin me kryetarin e AAK-së njëherit i nominuar për kryeministër të Kosovës , Ramush Haradinaj i parashtroi disa kërkesa që sipas tij, janë jetike për të gjithë punëtorët e Trepçës.
“Një ndër kërkesat ka qenë të bëhet ligji për pensione dhe atë të merret mesatarja e 3 pagave të fundit me 70 % . Kërkesë e dytë ka qenë të numërohet starti i punës nga viti 1999 e tutje dhe kërkesa e 3 të bëhet një memorandum i mirëkuptimit mes Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Sindikatës së Pavarur dhe menaxhmentit të Trepçës, që të gjithë punëtorët që kanë qenë në marrëdhënie pune kanë vdek dhe punëtorët që shkojnë në pension të ju merret një fëmijë në punë. Besoj që na premtoj që këto kërkesa kanë me u realizu dhe shpresojmë në një qeveri të ardhme dhe besoj që kanë me u realizu, janë jetike këto kërkesa për neve dhe i hapin rrugë në të ardhmen e zhvillimit të Trepçës”, tha ai.
Njëri nga punëtorët e kësaj ndërmarrje, Ramdan Gjeloshi, pati vërejtje të shumta ndaj shtetit, për të cilin tha se nuk ka ndërmarrë asgjë në lidhje me kërkesat dhe të drejtat që u takojnë punëtorëve të vjetër.
Ai ka numëruar problemet e shumta me të cilat ballafaqohet kjo kategori e punëtorëve.
“3 gjëra na duhen neve punëtorëve të vjetër qka jemi këtu , 10 vjetë me na e numëruar stazhin e punës se të shkaut po na e njehin a të Kosovës jo , e dyta pagën që e kemi tash me këtë pagë me na dhënë 70 përqindë në 100 e më shumë dalim në pension menjëherë , e nënshkruajmë ne vetë dalim menjëherë dhe e treta nga një djal me na shti në punë këto i dojmë si punëtorë të vjetër . Këtu punohen vetëm 2 horizonte , 11 janë 9 horizonte rrinë thatë . Këtu tu ka nevojë edhe 600 punëtorë më së paku atë shkruaje sot si të bëheni kryeministër thuaj 600 njerëz në Trepçë me i punësu menjëherë ka vend , pse nuk i kanë pranuar këta e dinë , a qeverisa ka pas faj apo këta unë nuk e di . Fjala është këtu për 700 vet shlir si të bëheni kryeministër mundesh me thënë këtu me i punësuar se 9 horizonte janë thatë, kemi probleme shumë por këto gjëra në i dojmë që jemi mbe t këta punëtorë të vjetër .. fjalë e premtime jemi mbushur boll” , tha ai.
I nominuari për kryeministër Haradinaj gjatë ditës pritet të zhvilloj takime edhe në Viti, Gjilan dhe Kamenicë. /KosovaPress