Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka përfunduar takimin me kancelaren gjermane, Angela Merkel, me ç’rast edhe ka treguar se çfarë kanë diskutuar dhe çfarë mbështetje mori nga Gjermania.
Takimi i Haradinajt me Merkelin ka filluar nga ora 11:00, ndërsa është mbajtur me dyer të mbyllura dhe pa praninë e medieve.
Por pas takimit, Haradinaj ka thënë se është i nderuar që me ftesën e kancelares gjermane, Angela Merkel, në Berlin diskutuan rreth zhvillimeve të fundit në rajonin tonë dhe për nivelin e lartë të marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.
Sa i përket dialogut me Serbinë, Haradinaj theksoi se Kosova është për një marrëveshje gjithpërfshirëse, ligjërisht obliguese, e cila përfshinë njohjen reciproke, në kufijtë ekzistues.
“Me këtë rast e falenderova Kancelaren Merkel për konsistencën e shtetit gjerman sa i përket mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës si dhe për vendimin e Gjermanisë për t’i thënë PO heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës të cilët, ndonëse i përkasin popullit më proeuropian, gjatë kohë janë mbajtur të izoluar”, ka thënë Haradniaj.
Ai shtoi se nga kancelarja Merkel mori konfirmimin se Gjermania do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën në rrugën e saj euroatlantike dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar.
Kryeministri Ramush Haradinaj ka udhëtuar për në Berlin gjatë ditës së djeshme ku është pritur me ceremoni ushtarake. Ai është i shoqëruar nga ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli./FaktePlus