Aktuale

Haradinaj thotë se Kosovës po i kërkohet tokë në shkëmbim të njohjes nga Serbia

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj po thotë bashkësia ndërkombëtare po kërkon që Kosova të japë diçka në këmbim të njohjes nga Serbia.

Sipas Haradinajt, po kërkohet që Kosova të japë tokë, ose Republikë brenda shtetit, raporton lajmi.net.

“Kërkohet me u përmbylle marrëveshje Kosovë – Serbi dhe është në interes e mirë për ne, kemi kërku ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare në vazhdimësi të përmbyllet me njohje ata na kanë thënë çka jepni ju nëse ju njeh Serbia. Ne kemi thënë se kemi vajza të dhunuara e njerëz të vrarë e të zhdukur e ekonomi te rene, nuk po themi më harru por mu pajtu, na thënë që nuk mjafton çdo herë kështu, na kanë thënë, atëherë kanë kërku çka duhet me dhënë ne, na kanë kërkuar me dhënë tokë që ka tokë e miniera ose nëse nuk jepni toke, jepni republikë brenda republikës”, ka thënë Haradinaj.

Kryeministri tutje shtoi se njohja nga Serbia do të ishte pozitive edhe për ekonominë dhe për tregun e lirë mes dy vendeve.

Ai u shpreh i bindur se Kosova pa njohje nga Serbia nuk do ta heqë taksën ndaj Serbisë.

“Ne e kemi armik Serbinë me ata është Rusia, njohja po na vyen nuk japim tokë, nuk japim Republikë brenda në Kosovë por ua kthejmë tregun”, shtoi ai

Kujtojmë se SHBA-të dhe BE-ja tashmë kanë intensifikuar presionet ndaj Prishtinës për heqjen e taksës.

Në opinion kjo çështje ka nxitur reagime të mëdha edhe për mundësinë e rrëzimit të Qeverisë.

Këto komente, Haradinaj i bëri në akademinë përkujtimore në 22-vjetorin e rënies së heronjve të kombit, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu në Junik. /Lajmi.net/

the authorBurbuqe Metolli