Aktuale

Haradinaj: Do të ishte turp nëse shkollat e Gjakovës kanë nxënës jo të mirë

Në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë , u mblodhën personalitete nga fusha e sportit, kulturës, biznesit e kategorive të tjera për të diskutuar me kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryetarin e Gjakovës Ardian Gjini, për prioritetet dhe kërkesat që kanë në këto fusha.

Temë me theks të veçantë ishte testi PISA, i cili do të mbahet në fund të prillit ose në fillim të majit dhe është një temë shqetësuese për kryeministrin, i cili tha se do të ishte turp nëse shkollat e Gjakovës do të hyjnë në radhët e shkollave me nxënës jo të mirë.

E pastaj diskutuan për tema tjera si: gjendja në shëndetësi, furnizimi me energji, kategoritë e lirisë(familjet e dëshmorëve, të martirëve, femrat e dhunuara), infrastruktura etj.

Kryeministri Haradinaj ka shprehur edhe mendimin e tij për kryetarin e Gjakovës, duke e vlerësuar atë mjaft shumë.

“ I besoj Ardianit, jo vetëm pse është në Aleancë e as pse jemi rritur bashkë, por është një njeri serioz, i përgjegjshëm”, u shpreh ai. Po ashtu kryeministri në aspektin ekonomik, Gjakovën nuk e sheh aq të zhvilluar.

“Gjakova ka një ngecje në zhvillim ekonomik për shumë arsye, duhet ta gjejmë një rrugëdalje për vendin”, tha ai. Me këtë ai shprehu edhe gatishmërinë për t’i ndihmuar në ngritje Gjakovës si vend që ka mjaft potencial për të qenë akoma më mirë./KP/