Aktuale

Haradinaj: Do të dyfishohen grantet buxhetore për investime në komuna

Kandidati për kryeministër nga radhët e koalicionit PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, ka thënë se qeveria e ardhshme e vendit do ta fokusojë pjesën e investimeve më të mëdha në ngritjen e infrastrukturës përmes investimeve kapitale që synojnë lehtësimin e jetës së qytetarëve.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se do të ndryshojë logjika e deritanishme e investimeve në rajone dhe se grantet buxhetore për investimet kapitale për komunat do të dyfishohen.

Postimi i plotë:

Kamenica, respektivisht Dardana e sotme, është një prej nyjave më të rëndësishme të vendit tonë. Ajo lidh korridore kyçe, por i lidhë edhe trevat shqiptare të Kosovës Lindore me shtetin e tyre të zemrës – Kosovën.

Qeveria e ardhshme e vendit do ta fokusojë pjesën e investimeve më të mëdha, përgjatë mandatit, pikërisht në ngritjen e infrastrukturës së duhur përmes investimeve kapitale që për qëllim kanë lehtësimin e jetës së qytetarëve por edhe qarkullimin më komod të mallrave dhe të njerëzve midis bashkëkombësve tanë në Kosovën Lindore dhe shtetit të tyre të zemrës.

Investimet kapitale do të decentralizohen në mënyrë që shpërndarja të jetë e barabartë. Nuk do të kemi investime regjionale me karakter politik. Kjo logjikë do të ndryshojë! Grantet buxhetore për investimet kapitale për komunat, do të dyfishohen.

#KohapërFillimineRi

RH