Aktuale

Haradinaj: Taksën s’e kemi vënë për inat, shqiptarët nuk japin më asgjë

I pari i ekzekutivit pasi që bëri homazhe te shtatorja dhe Kulla e Haxhi Zekës, me rastin e shënimit të 120-vjetorit të Lidhjes së Pejës, ka përmendur edhe taksën për produktet serbe e boshnjake, duke deklaruar se kjo masë nuk është bërë për inat të askujt por për interesa nacionale.

Fillimisht Haradinaj foli për misionin e Lidhjes së Pejës duke thënë se është dokument i dhënë nga prijësit e atëhershëm shqiptarë.

“Lidhja e Pejës edhe pse nuk ka arritë misionin e vet me kry e ka dërgu një mesazh te shqiptarët, për të drejtën e shqiptarëve në atë kohë. E drejta jonë ka qenë e rrezikume prej fqinjëve, kontributi i Lidhjes së njohur si Lidhja e Pejës se njëri dokument është vetë besa e dhanme në mes të prijësve shqiptarë. Kontributi i Lidhjes së Pejës na mban edhe neve sot. Falë angazhimit të atëhershëm e kemi Kosovën të tillë ashtu siç ka mbetë”, deklaroi Haradinaj, duke shtuar se miku do të respektohet ashtu si edhe armiku.

“Jemi mik për mikun, dimë me respektu edhe armikun, po kanë ndryshu kohnat, shqiptarët nuk japin ma”, shtoi ai.

I pari i Qeverisë nuk ka lënë pa përmendur as taksën për produktet serbe e boshnjake, duke deklaruar se ajo nuk është vënë për inate.

“Është vit i ekonomisë, flasim për vende të reja të punës, importojmë qindra milion mish në Kosovë, kishim mujt me pas ma shumë ferma e me hangër mishin e këtij vendi, po edhe produktet e tjera që i hajmë janë në vetëdijen. Taksa e vendosur për mallrat prej Serbisë, nuk është bërë për inati të dikujt, por është bërë për interes nacional edhe prodhuesit duhet me pri me porosi e kualitet, me produkte të sigurta, edhe pse pas arsye të shnosha që Kosova jo veç me mbulu tregun e vet po edhe me eksportu ma shumë”, shtoi Haradinaj.

I pyetur se tash kur diskutohet për territore, a ka nevojë vendi për një lidhje të tillë si ajo e Pejës, kryeministri ka deklaruar se nuk ka rrezik të tillë.

“Atë që e thashë me të drejtë e thashë që kuvendi i atëhershëm na mbron edhe tash nuk kemi asi rreziku ky kuvend na mban, falë atij kuvendi atij angazhimi atdhetarëve tonë na jemi të qëndrueshëm, sikur ata të mos e kishin definu të drejtën tonë do të ishte e pamundur ne sot të mbrojmë atë”, shtoi ai.

Gjithashtu, Haradinaj ka bërë thirrje për ndalje të grevës në arsim, duke shtuar se të gjitha orët do të zëvendësohen.

“Projektligji nuk është vetëm për arsimin, është për policët zyrtarët zjarrfikësit për ata që paguhen prej shtetit ky ligj do të ndodh besoj me 31 nuk do të insistoj më shumë është në vetëdijen e tyre. Asnjë orë e humbur nuk do të mbetet pa u zavëndësu, ma mirë me u kthy tash sa me ju shku vera”, ka përfunduar Haradinaj. /Express

the authorBurbuqe Metolli