Aktuale

Haradinaj takon Komitetin Ndër-Ministror për Anëtarësim në NATO, thotë se është synim i Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka takuar Komitetin Ndër-Ministror për Anëtarësim dhe Integrim në NATO, me të cilin kanë koordinuar veprimet për punët që duhet të bëhet drejt realizimit të synimit për anëtarësim në Paktin Veri-Atlantik.

Kreu i ekzekutivit kosovar ka theksuar se synimi i shtetit, por edhe i qytetarëve të Kosovës është anëtarësimi në NATO.

“Anëtarësimi në NATO është synim shtetëror dhe qytetar i Kosovës. Ne jemi në rresht me vendet demokratike për të mbështetur paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe më gjerë. Kosova ka institucionalizuar aspiratën për anëtarësim në Paktin Veri-Atlantik, duke funksionalizuar Komitetin Ndër-Ministror për Anëtarësim dhe Integrim në NATO”, ka thënë Haradinaj, transmeton FaktePlus.

Me tutje kryeministri Haradinaj ka shtuar se përfshirja e Kosovës në programe partneriteti, prezenca në Bruksel dhe forcimi i marrëdhënieve, është nisja e Kosovës për në NATO.

“Forcimi i marrëdhënieve, prezenca e shtuar në Bruksel, komunikimi strategjik, si dhe përfshirja e Kosovës në programe partneriteti është nisja e Kosovës në NATO”, është shprehur Haradinaj. /FaktePlus