I pyetur nga KALLXO.com rreth qëndrimit të tij për murin i cili po ndërtohet nga serbët në pjesën veriore të Mitrovicës, Haradinaj e ka cilësuar si të gabueshëm këtë veprim dhe qasjen zyrtare të Prishtinës lidhur me ngjarjet e veriut.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka deklaruar se mburrja e pushtetarëve me punët që i bën Brukseli në lidhje me heqjen e barrikadave dhe pengesave të tjera po u hapë rrugë të tjerëve për veprime si ngritja e murit në afërsi të lumit Ibër.
“Çdo të arritur që nuk është fort e tyre, që është e Brukselit, që po i bën trysni Beogradit me i detyru serbët me i heqë ato pengesa e me u integru në Kosovë, se ka kapituj që ka me i hapë me u anëtarësu, këta menjëherë po shkojnë në veri po thonë: e bëmë këtë, e bëmë atë. Pastaj po u japin kredit të tjerëve me bo veprime të gabume”, ka thënë lideri i AAK-së.
I pyetur nga KALLXO.com rreth qëndrimit të tij për murin i cili po ndërtohet nga serbët në pjesën veriore, Haradinaj e ka cilësuar si të gabueshëm këtë veprim dhe qasjen zyrtare të Prishtinës lidhur me ngjarjet e veriut.
“Mendoj se kanë mujtë me shku ma me kujdes ngjarjet e fundit… Më së pari muri është gabim që po ndodh ashtu si muri, por gabim janë edhe plot lëvizje që po i bën Prishtina lidhur me veriun”, tha Ramush Haradinaj.
Haradinaj këtë deklarat e dha gjatë ceremonisë së aderimit të 50 anëtarëve të rinj nga komuna e Klinës në AAK.
Gjatë ditës së djeshme, ministrja për Dialog, Edita Tahiri, tha se Qeveria e Kosovës do të veprojë me forcën e ligjit për të ndalur punimet në atë pjesë të qytetit si dhe për të rrënuar këtë mur.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha sot se muri i cili po ndërtohet në Mitrovicën e veriut, pranë urës kryesore mbi lumin Ibër “do të trajtohet sipas ligjit”.