Aktuale

Haradinaj: Po vjen dita që Gjakovës t’i kthehet zhvillimi

I nominuari për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, tha të premten se Gjakova meriton trajtim dhe mundësi më të madhe nga qeveria dhe shteti i Kosovës, pasi është resurs i çmuar i këtij vendi dhe u zotua se kësaj komune do t’i kthehet zhvillimi i munguar, të cilin do ta bëjnë së bashku.

Postimi i plotë i Haradinajt në Facebook:

Pata kënaqësinë t’i takoj sot bashkëluftëtarët nga Gjakova – veteranët e luftës së UÇK-së të këtij qyteti dhe të kësaj komune.

Ishte kënaqësi bashkëbisedimi me ata, të cilët, ndër të parët e nisën frontin e lirisë në fshatrat përreth dhe që, si qytet, dha shembullin e madh të pjesëmarrjes masive, me vajzat dhe djemtë më të mirë, në luftën tonë për liri.

Si gjithmonë, Gjakova dha shumë për lirinë e vendit, edhe në përmbylljen e shekullit te kaluar, por shteti ynë, deri më sot nuk e kreu obligimin e tij ndaj këtij qyteti.

Gjakova meriton trajtim dhe mundësi më të mëdha nga qeveria dhe shteti i Kosovës. Këtë e pashë edhe një herë, po sot, në një takim tjetër që e pata me të rinjtë e këtij qyteti.

Ata janë resurs i çmuar i këtij vendi, që me të drejtë e duan mundësinë e tyre dhe meritojnë jetë më të mirë, njëjtë si bashkëmoshatarët e tyre kudo në Evropë.

Po vjen dita që Gjakovës t’i kthehet zhvillimi i munguar! Këtë do ta bëjmë bashkë,

Ju zotohem!

#KohapërFillimineRi

RH