Aktuale

Haradinaj: Po e rrisim transparencën për ta luftuar korrupsionin

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi sot se Qeveria po rrit transparencën që është parakusht për luftimin e korrupsionit dhe u ndihmon qytetarëve për t’i parë direkt të drejtat e tyre.

Ai këto komente i bëri me rastin se lansimit të bazës së dhënave të Gazetës Zyrtare dhe aplikacionin mobil nga USAID në partneritet me Zyrën e Kryeministrit.

“Janë afro 8 mijë dokumente zyrtare, veç tani të ofruara në aplikacionin në fjalë. Dhe kjo është dëshmi që në këtë mënyrë pra së bashku ne po e rrisim transparencën. E transparenca është kusht i rëndësishëm, për luftimin dhe të korrupsionit dhe të gjitha shkeljeve ligjore. Por po ashtu kjo transparencë i ndihmon qytetarëve, me i pa direkt të drejtat e tyre në bazë të ligjit. Dhe me i pa direkt veprimet që i ndërmerr qeverisja. Duke i falënderuar të gjithë ata që në vazhdimësi kanë kontribuuar që gazeta zyrtare e Republikës së Kosovës dhe tani së fundi dhe aplikacioni i ri i afërt ose në prani të të gjithë qytetarëve. Uroj që me këtë punë të mirë të mos ndalemi këtu me kaq”, tha ai.

Ambasadori i SHBA- ve në Kosovë Greg Delawie, tha se beson fuqishëm në partneritetin me Kosovën dhe se gazeta zyrtare është pjesë e një përpjekje për ta bërë Qeverinë e Kosovës, më të hapur para popullit.

“Po shënojmë këtë të arritur të Zyrës së kryeministrit, bashkë me ndihmën tonë. Besoj fuqimisht me partneritetin tonë me Kosovën dhe kam shumë mundësi për ta lavdëruar punën e mirë që e bëjmë çdo ditë. Më duhet të pranoj që gazeta zyrtare se di a e besoni apo jo por është ndër me të parapëlqyerat. Baza e të dhënave nuk kanë të bëjmë vetëm me teknologjinë. Ato i lidhin njerëzit me informata dhe pak gjëra në këtë botë janë më të fuqishme, se publiku i njoftuar mirë. Andaj duket shumë e përshtatshme që jemi bashkë disa ditë para fillimit zyrtar, të javës kundër korrupsionit. Nuk mendoj qe ka diçka më të duhur, se sa fillimi i një fushate, për njoftimin e opinionit publik, për t’u siguruar që të gjithë qytetarët kanë qasje në informatat që iu duhen. Gazeta zyrtare është pjesë e një përpjekje me të gjerë për të bërë Qeverinë e Kosovës më të hapur para popullit. I konsideroj kë to përpjekje si thelbësore për zvogëlimin e pengesave, ndërmjet qeverisë dhe popullit për të cilin punon Qeveria, duke nxitur kulturën e transparencës dhe llogaridhënëse”, tha ai.

Ndryshe, gazeta zyrtare, ka si qëllim të vetëm, publikimin dhe vënien në dispozicion të publikut, të ligjeve dhe akteve tjera ligjore, në një platformë të konsoliduar dhe të besueshme, në të cilën qytetarët kanë qasje të lehtë dhe pa pagesë. /KP/