Kandidati për kryeministër nga PDK-AAK dhe Nisma Ramush Haradinaj në kuadër të fushatës zgjedhore ka mbajtur një tubim zgjedhor në Suharekë me ç‘rast para simpatizantëve të kësaj komune ka premtuar për një shtet ligjor dhe të mirëfilltë.
Haradinaj në Suharekë premtoi se do ta luftojë korrupsionin si dhe asnjëherë nuk do të lejojë që Serbia të ketë ndikim në Kosovë.
“Kur na kanë vlerësuar neve shqiptarëve shumë herë i kanë bërë llogaritë gabim, kur kanë menduar se ne ndalemi, kur kanë menduar se na kanë dobësuar bash atëherë e kanë parë që jemi në këmbë. Unë kurrë s’kam pranuar se Kosova është gjunjëzuar, ka ra në gjunjë, unë e kam ditë se Kosova është lodhë sepse e kanë lodh, e kam ditë që Kosova nuk është mirë se ia kanë sjellë punën mos me kanë mirë ama që gjunjëzohet Kosova se kam pranuar kurrë në të drejtën tonë. E drejta jonë na bën të fortë na bënë ata që jemi. Nëse i rrimë drejtës sonë besoni është e drejtë e Zotit dhe popullit që s’i këna bërë kujna keq do të na pranojnë të gjithë në të drejtën tonë. Nëse sot kërkesën e parë me largu Serbinë e thojmë më zë të madh ia thojmë veti e ua thojmë miqve që Serbia s’ka vend në Kosovë menjëherë kanë me pranu veq kanë me kqyr a e kemi për nime. Edhe besoni njëra nga punët është me heq Serbinë nga Kosova dhe më asnjë lloj ndikimi nuk do ta ketë Serbia në Kosovë”, tha Haradinaj në Suharekë.
Në këtë fjalim i cili u prit me entuziazëm të madh nga suharekasit Haradinaj ftoi qytetarët e kësaj qyteze që të dalin më 11 qershor në zgjedhje dhe mos ta lënë asnjë votë në shtëpi.
Ndërsa kandidati për deputet nga kjo komunë Blerim Kuqi pati tri kërkesa për Haradinajt, të cilit gjatë tërë kohës iu referua si kryeministër.
“Në fillim të këtij rrugëtimi i kemi veç tri kërkesa, veç tri kërkesa i ka Theranda. E para me ndalë Serbinë kryetar me ndalë Serbinë mos me ndërhy në sovranitetin e Kosovës. E dyta me i ndalë të rinjtë kryeministër mos me braktisë Kosovën. Dhe e treta me i fuqizu mekanizmat shtetëror, me forcu shtetin e Kosovës me bë një shtet të vërtetë kryeministër. Asnjë kërkesë tjetër se kemi kryeministër”, tha Kuçi.
Në listën për deputet nga Suhareka përveç Kuçit në garë është edhe kandidati tjetër Bali Muharremaj.
Ky i fundit edhe në mandatin e kaluar ishte deputet i Kuvendit të Kosovës.
Haradinaj gjatë ditës ka vizituar edhe Fabrikën e Këpucëve “Solid” në Suharekë, është takuar me pronarin e rrjetit të marketeve “Albi” në prishtinë ndërsa në orën 19:00 do të mbajë tubim zgjedhor në Rahovec.
Haradinaj është nominuar si kandidat për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK dhe Nisma ndërsa tubimin përmbyllës të fushatës do ta mbajnë nesër në Prishtinë./kp