Aktuale

Haradinaj për televizionin serb: Asociacioni i Komunave do të implementohet

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka dhënë një intervistë për televizionin serb TV Palma, ku ka folur për raportet Kosovë –Serbi, dialogun e brendshëm që e ka iniciuar Aleksandar Vuçiq për Kosovën, asociacionin e komunave me shumicë serbe që e kishte kundërshtuar fuqishëm si opozitar dhe tema tjera. Ai ka thënë se Asociacioni do të implementohet duke marrë parasysh, pa pjesën që e ka kontestuar Gjykata Kushtetuese.

Haradinaj e ka quajtur hap të mençur veprimin e Vuçiq për të hapur dialog të brendshëm rreth Kosovës. Ai ka theksuar se çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të zgjidhet në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.

Haradinaj ka thënë se do të fokusohet në përmirësimin e jetës për të gjithë qytetarët e Kosovës, kthimin e besimit në institucione dhe ndërmjet popujve.

“Sa i përket Asociacionit të komunave serbe, gjithçka që është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese do të realizohet. Edhe sipas Kushtetutës së Kosovës, e cila ngërthen në vete Planin e Ahtisaarit, parashihet asociacioni i komunave me shumicë serbe. Megjithatë Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka kontestuar një pjesë të Marrëveshjes së Brukselit që ka të bëjë me Asociacionin e Komunave serbe” ka thënë Haradinaj.

Ai ka thënë televizionit serb se ende nuk është marrë me këtë temë.

“Kjo është diçka qe e ka nënshkruar ish-kryeministri i Kosovës në Bruksel, por Gjykata Kushtetuese këtë e ka kontestuar. Unë nuk kam kapacitet të punojë jashtë Kushtetutës. Kosova nuk ka nënshkruar diçka në Bruksel me qëllimin që mos ta implementojë, por kontestimi nuk është bërë nga politika por nga Gjykata Kushtetuese” ka thënë ai.

Haradinaj ka folur edhe për angazhimin e tij në UÇK duke thënë se nuk turpërohet për atë periudhë.

“Lufta në Kosovë ka qenë një periudhë tragjike. Unë kam qenë luftëtar me armë në dorë dhe nuk turpërohem për këtë. Kryeprokurori i Hagës më ka ndjekur 9 vjet. Rezultatet i dini. Në pyetjet për luftën jemi përgjigjur në Hagë, UNMIK dhe EULEX. Kjo Gjykatë (Speciale) do të jetë e katërta me radhë” ka thënë Haradinaj.

Ai ka thënë se krimet e rënda si ato të 14 serbe në Staro Grackom, vrasja e fëmijëve në Gorazhdec, hedhja në ajër e autobusit në Podujevë, vrasja në Obiliqi, janë turp për Kosovën dhe bashkësinë ndërkombëtare.

Ai ka thënë se është e rëndësishme ndërmjet palëve që të ketë respekt.

“Respekti është i rëndësishëm dhe nëse Beogradi e respekton Kosovën, unë jam i gatshëm ta respektojë Beogradin dhe Serbinë dhe të gjitha vlerat e popullit serb. Por ajo që është realitet është Republika e Kosovës” ka thënë Haradinaj.

Mediat serbe kanë kërkuar nga Haradinaj që të komentojë edhe sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë për shkak të Krimesë.

“Nuk merrem me politikë ndërkombëtare. Presidenti dhe Ministri i Jashtëm kanë kohë më shumë për këtë” ka thënë Haradinaj.