Aktuale

Haradinaj për aksionin në veri: Krimi nuk do të fitojë mbi drejtësinë

Kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë se aksioni i sotëm në veri nuk është i drejtuar kundër popullit serbë, por ndaj individëve që janë përfshirë në raste kriminale, kontrabandë dhe korrupsion.

Ai ka theksuar se Njësia Speciale Operative e Policisë së Kosovës ka kryer detyrat e veta që ka, ani pse ka pasur pengesa në disa vende, por që aksioni është kryer me sukses.

“Operacioni, nuk është vetëm i sotshëm, ka dy ditë që po ndodhë, është në shkalë vendi, është i drejtuar ndaj individëve që janë të involvuar në krim, korrupsion, janë policë, zyrtarë doganier. Është zbatim i ligjit, prokurori ka dhënë urdhër për arrestim të tyre në bazë të provave dhe bastisjes së disa lokacioneve. Policia ka zbatuar obligimin ligjor që ka në këtë rast, në disa lokacione ka shkuar pa pengesa. Në drejtim të Zubin Potokut ka pasur tendenca që me sulme me armë zjarri ta pengojë këtë. Policia është e aftë të kryej detyrën e vet dhe e ka kryer. Është për admirim profesionalizmi dhe kryerja e detyrave që kanë. Ky nuk është operacion që është kundër popullit serbë atje, madje shumicën e të dhënave e kanë dhënë serbët atje. Ne synojmë BE-në dhe nuk mund të shkoj më në BE duke mbështetur krimin në baza etnike. Krimi nuk do të fitojë ndonjëherë, pra është e pamundur që krimi të fitojë”, ka thënë Haradinaj, transmeton Fakteplus.

Me tutje kreu i Qeverisë ka thënë se krimi nuk do të fitojë ndaj drejtësisë. Ai e ka quajtur të padrejtë deklaratën presidentit serb se aksioni ka qenë i drejtuar në baza etnike.

“Është i padrejtë si reagim sepse luftimi i krimit është e drejt e jona dhe është e padrejtë të vihet në mbrojtje të krimit në baza etnike. Nuk ka nevojë për retorikë të tillë as nga Serbia as nga askush, luftimi i krimit, rendi dhe ligji është aspiratë e të gjitha vendeve. Mendoj që Kosova ka kryer një punë të mirë në zbatim të ligjit. Ligji duhet të zbatohet në terë territorin Kosovës”, është shprehur ai.

Duke folur për arrestimin edhe të dy zyrtarëve të UNMIK-ut, ku njëri prej tyre është shtetas rus, ka thënë se respektojnë imunitetin e zyrtarëve të organizatave ndërkombëtare, porse në rast të cenimit të sigurisë kombëtare atëherë do ta zbatojnë ligjin.

“Ne respektojmë imunitetin e përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare, nëse njëri nga këta sikur ky rusi që cenon sigurinë kombëtare ne zbatojmë ligjin dhe konventat ndërkombëtare. Nuk po dua ta lidhi këtë rast individual me agjendën e Rusisë. Por dihet agjenda e tyre për destabilizim”, ka theksuar Haradinaj. /FaktePlus