Aktuale

Haradinaj për aksionin e gjetjes së policëve të zhdukur: Disa ekspertë po japin këshilla prej kafiçave

Kryeministri Ramush Haradinaj në senacën e Kuvendit të Kosovës ka mohuar deklarimet se ka mungesë koordinimi në aksionin për kërkimin e policëve të zhdukur para disa ditësh në rrjedhën e lumit Lepenc, pas një aksidneti trafiku.

“Dëgjova qëndrimet e deputetëve veç e veç. Debatin e parë nuk e zura dhe nuk kam ndonjë koment. Te çështja e policëve të zhdukur, dua të them se kjo sigurisht se ka prekur të gjithë, familjet dhe shoqërinë mbarë. E vëreta është se ka koordinim atje dhe është e hapur për të bashkëpunuar me të gjithë vullnetarët“, ka thënë Haradinaj.

Ai ka kërkuar, që të gjithë të përmbahen nga deklarimet e ngutshme lidhur me këtë rast të ndjeshëm.

“Por janë disa që po japin këshilla prej kafiçave, disa ekspertë, por duhet të kihet parasysh se atje janë duke punuar njësitet e specializuara, ata djem e vajza janë në ujë, prandaj duhet të kursehemi nga këshillat, por duhet shkuar atje dhe duhet ndihmuar”, ka thënë Haradinaj.

Sa i përket krijimit të një fondi për sigurimin e policëve, Haradinaj ka deklaruar se është një kërkesë e drejtë që duhet shqyrtuar në të ardhmen.

Haradinaj i është përgjigjur edhe pyetjeve lidhur me gjendjen në Telekomin e Kosovës. “Sa i përket Telekomit të Kosovës nuk duhet të bëhet praktike që kompanitë publike të subvencionohen apo t’u jepet infuzion vazhdimisht. Duhet që ato të aftësohen dhe të kërkojnë partner, apo të kërkohen investitorë të rinj. Mendoj se me infuzione mund t’i zgjasim jetën edhe për një kohë, por mendoj se nuk është një zgjidhje e duhur”, ka thënë Haradinaj.

Lidhur me pyetjen për rolin e Listës Serbe në Qeveri, Haradinaj ka thënë se ky subjekt ka kërkuar dorëheqjen, por që nuk është miratuar nga ana e tij dhe çështja, sipas Haradinajt, ka mbetur pezull.