Aktuale

Haradinaj: Pas proceseve gjyqësore, lufta e UÇK-së do të dalë edhe më e pastër

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, konsideron se vlerat e luftës dhe UÇK-ja, janë të pakontestueshme, të pamohueshme dhe janë bazament i lirisë së Kosovës.

Ai ka theksuar se UÇK-ja, ka bërë luftë çlirimtare dhe të drejtë, dhe përpjekjet për të demonizuar këtë luftë, i konsideroj përpjekje të orientuara kundër Kosovës dhe lirisë së saj.

“Aktakuzat eventuale ndaj ish drejtuesëve apo ish-pjesëtarëve të UÇK-së, nuk guxojnë të shndërrohen në një front për goditjen e vlerave të luftës dhe UÇK-në, si shtyllë kryesore e kësaj lufte”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj thotë se ai dhe partia e tij janë për shtet ligjor dhe për bashkëpunim pa kushte me drejtësinë, për zbardhjen e të gjitha krimeve të pretenduara, qoftë para, gjatë, apo pas luftës në Kosovë.

“Nëse shqetësimi se drejtësia në Kosovë është e kapur është i bazuar,  Shteti edhe mund të ndërhyjë në krijimin e një sistemi të pavarur të drejtësisë, por jo të ndërhyjë në vet sistemin gjyqësor”, ka thënë Haradinaj.

Sipas tij,  moskrijimi i një sistemi efikas gjyqësor në Kosovë, është përgjegjësi e institucioneve të shtetit, ndërsa ndikimet në këtë sistem të drejtësisë, kanë imponuar projektet ndërkombëtare për krijimin e gjykatave të specializuara, apo edhe të mekanizmave të tjerë jasht sistemit të  gjyqësor të Kosovës.

“Pavarësisht zhvillimeve rreth kësaj çështjeje, unë shpreh bindjen time të plotë, se lufta e fundit e një populli për liri dhe e UÇK-së si prijëtare e saj, pas këtyre proceseve do të dalë më e pastër dhe më e shenjtë!”, ka përfunduar Haradinaj reagimin e tij.

Reagimi i Ramush Haradinajt, vjen pas shpalljes së vendimit të Gjykatës së Apelit, i cili la në fuqi atë të themelores për dënimin me burg, të grupit të njohur si “Drenica2”./KosovaPress/