Aktuale

Haradinaj: Pakoja e ligjeve për administratën publike, sfiduese

Kryeministri i Republikës, Ramush Haradinaj, ka thënë se qeveria që ai drejton është duke punuar në përmbylljen e reformave të administratës publike, ndonëse e pranoi se ky proces është mjaft sfidues.

Ai këto komente i bëri në takimin ndërministror për reformën e administratës publike.

Kreu i ekzekutivit tha se vazhdojnë të jenë sfiduese pakoja ligjore që përfshinë Ligjin për pagat, Ligjin për Shërbimin Civil dhe Ligjin për Organizimin e Administratës Publike, ndonëse, sipas Haradinajt do të ketë edhe efekt buxhetor në nivelizimin e pagave.Në cilësinë e kryesuesit të Këshillit ndërministror të Reformës së Administratës Publike, ministri Administratës Publike, Mahir Yagcilar ka folur rreth ecurisë së procesit të reformës së administratës publike.

Ai tha Qeveria dhe institucionet e saja mbeten të angazhuara dhe të përkushtuara në obligimet që dalin nga plani kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, Agjenda e Reformave Evropiane dhe Strategjia Kombëtare për zhvillim.

Ai ka shtuar se ka sinjale pozitive se Kuvendi i Kosovës do të përgjigjet në mënyrë efektive dhe pozitive miratimit të këtyre ligjeve pas aprovimit në qeveri.

Koordinatori për reforma në administratë, Besnik Tahiri, ka thënë se përmbyllja e tri ligjeve themelore është historike dhe se ka vullnet politik për përmbylljen e kësaj çështjeje kruciale.

Ministri Yagcilar ndër të tjera ka shtuar se Raportin e Monitorimit për Kosovën për vitin 2017, SIGMA ka vlerësuar se krahasuar me vendet e rajonit, Kosova ka bërë përmirësime të dukshme dhe progres./Indeksonline/