Aktuale

Haradinaj nuk e përjashton mundësinë që nesër PAN të mos jetë në seancë

Kandidati për kryeministër nga radhët e PAN-it, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se ende nuk është e sigurt nëse nesër do të mund të marrë fund konstituimi i Kuvendit të Kosovës, ose jo, ndërsa tha se po bëhen përpjekje për formimin e një qeverie gjithëpërfshirëse.

Ai në një konferencë për media, në të cilën u prezantua kandidati i AAK-së për kryetar të Ferizajt, Xhavit Zariqi, tha se janë duke bërë përpjekje që nesër të jenë në vazhdimin e seancës konstituive, por ka mundësi reale që as nesër të mos mund të fillojnë.

Kreu i AAK-së njëherësh shprehu keqardhje për vonesat që janë bërë në formimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit. Sipas tij, këto shtyrje mund të zëvendësohen me një qeveri me të gjerë, e cila do t’iu bëjë ballë temave të mëdha për vendin.

“E para po me vjen keq për kohën dhe për shtyrjen që kanë ndodhur deri më tani. Pra, nuk ndihem mirë për faktin që po shtyhet deri me tani. Tjetra është që ende jemi në përpjekje që të jemi nesër në seancë. Ekziston mundësia reale që edhe nesër të mos mund të fillojmë. Këto shtyrje edhe pse janë humbje kohe, pra nuk po ndodh seanca e fitojnë një aspekt tjetër kohën, pra sepse bëjmë gati kohën që të jetë një nisje e qëndrueshme më gjithëpërfshirëse dhe për këtë t’iu them në njëfarë mënyre po punojmë intensivisht që këtë humbje kohe tashme ta kompensojmë me një qeveri që është më gjithëpërfshirëse që mund t’iu bëjë ballë temave në vend”, tha Haradinaj.

Lideri i AAK-së ka bërë të ditur se janë në konsulta të vazhdueshme me AKR-në e Behgjet Pacollit, porse nuk ka bërë të ditur nëse kanë ndonjë marrëveshje apo nëse do të mund të arrihet gjatë këtyre ditëve.

“Jemi në konsulta, po e them me kujdes me të gjitha palët që janë të interesuara që Kosova të niset me institucionet e vendit, me ne pra që jemi këtu në vend por edhe me AKR-në e Behgjet Pacollit, jemi në konsulta të vazhdueshme. Jemi në drejtim të mirë, pra gjithë ne jemi të vetëdijshëm që formimi i institucioneve, e para zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është e drejtë kushtetuese nuk ka shumë alternativa, është e pamundshme të ndërhyhet në përzgjedhjen, vetëm ata që kanë fituar zgjedhjet kanë të drejt të përzgjedhin. Pra, janë disa aspekte që besoj se do të gjejnë zgjidhje shpejt”, tha Haradinaj.

Për më tepër, Haradinaj tha se po tentojnë që të ketë një qeveri stabile, pasi sipas tij, po të donin qeveri me 61 numra ndoshta sot do të ishin në punë.

“Tani ne jemi në konsulta, këto konsulta nuk po bëhet fjalë vetëm për 61 deputetë, keni parasysh, ndryshe ndoshta ishim në punë sot. Arsyeja është pse po shkojmë në këtë rrugëtim të tillë dhe po marrim kohë është se një qeveri gjithëpërfshirëse, që është e aftë t’iu bëjë ballë temave të vendit është në interes i vendit dhe për këtë jemi kështu sot. Po vërtet shpreh keqardhje për këtë vonesë dhe me vjen keq që po vonohemi dhe nuk besoj që nuk është diçka e mirë për vendin”, u shpreh kreu i AAK-së.

Ndërsa, i pyetur nëse ka bërë ndonjë marrëveshje me Listën Serbe, Haradinaj tha se ende nuk është mandatuar zyrtarisht për të formuar qeverinë dhe se marrëveshja eventuale mund të vijë vetëm pas mandatimit të tij.

Vazhdimi i seancës konstituive është caktuar për nesër me 24 gusht në orën 10:00, me kërkesë të koalicionit PAN, pas takimit konsultativ të mbajtur javën e kaluar me ftesën e kryesuesit të seancës Adem Mikullovci./KP/