Në Ditën e Mësuesit, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj u ka premtuar mësimdhënësve se do të punojë për zbatimin e ligjit që njeh kontributin e tyre në vitet e nëntëdhjeta, duke thënë se një gjë e tillë nuk do të bëhet për hatër të votave, por në funksion të një arsimi sa më cilësor.
Ai këto komente i bëri në ceremoninë festive të SBASHK-ut për ndarjen e mirënjohjeve për pensionistët e arsimit nga e tërë Kosova në respekt të 7 Marsit – Ditës së mësuesit dhe shkollës shqipe.Kreu i ekzekutivit u shpreh se nuk i vjen mirë kur rezultatet e arsimit nuk janë të mira, por tha se veprimet nuk i ndërmarrin për të fituar partia.
“Veprimet nuk i marrim për të fituar partia, ju jeni këtu edhe ju e dini më së miri është e vërtet ajo. A ka ndonjë institucion arsimor në Kosovë që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, partia që unë e udhëheq e ka ngulfatur? Nëse ka një, a shkollë të mesme, a bord, a çka do koftë, universitet, a kudo qoftë, rektor, dekan që Aleanca i ka shti duart, tregomëni. Nuk kemi bërë kësi veprime, nuk kemi bërë asnjëherë vepra për hatër të një grupi. As shkarkim të një agjencie të akreditimit, as për inati të atyre njerëzve, as kujtdo që përfaqësojnë ata. Po kemi bërë se po na dhemb gjendja jonë, në vendin tonë, po duhej me i bë do lëvizje, po duhej me i ndihmua vendit tonë me ecë përpara. Nëse kjo është e vërtet, e na që jetojnë në Kosovë e dimë, unë nuk kam me u ndal pa u zbatuar e drejta e juaj, e pensionit, e stazhit, ajo e drejtë që ju takon me ligj”, tha Haradinaj.Kryeministri ka thënë se nuk do të ndalet së punuari, pasi që ai tha se po e dimë që pa shkollë të fortë nuk ka shtet të fortë, por as ekonomi dhe as ushtri.Ndërsa, kryetari të SBASHK-ut, Rrahman Jashari, tha se mësimdhënësit në kohë të vështira e kanë mposhtur errësirën dhe i kanë hapur rrugë dritës.“Institucionet e shtetit tonë nuk kanë bërë sa duhet për ta dëshmuar respektin që meritojnë njerëzit e asaj kohe.
Vitet e 90-ta dhe puna e përkushtuar e plot sakrificë e mësimdhënësve të asaj kohe duhet të shënohet në libra, të mbrohet me dokumente e me ligj dhe të ruhet në kujtesën tonë, sepse e tërë bota u mahnit me përkushtimin dhe sakrificën e njerëzve të dijes në të gjitha ato vite”, tha Jashari.Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica, duke uruar mësuesit për 7 marsin, tha se u janë mirënjohës mësuesve për jetë e mot për kontributin e dhënë në fushën e arsimit.“Jam këtu për të marrë energji të reja të cilat do të jenë ndihmesë e madhe për dikasterin që unë drejtoj. Puna dhe mirëqenia janë dy terma që përbëjnë thelbin sindikalist, vetë brumin përbërës të kësaj ndërmarrje. E kam thënë edhe herë të tjera se sindikatat janë vetë rregullatori i cilësisë së punës dhe mirëqenies, puna dhe mirëqenia janë materia për të cilën shteti ka ngritur dikasterin që drejtoj unë sot. Kjo na bënë neve dhe juve të ndjehemi në një shtëpi të përbashkët, obligimesh, e detyrash. Ju nga këtu do të dilni me energji të rimarra për misionin tuaj që nuk shteron asnjëherë dhe ne me detyrat tona përpara. Me këtë rast dua të ju siguroj juve dhe drejtuesve të sindikatave se dikasteri ynë do të jetë edhe shtëpia e juaj, se dikasteri ynë do të jetë krahu i dhënë përhershëm përmes jush për këdo që ka marrëdhënie pune dhe për këdo tjetër që ka nevojë për dorën e shtetit”, tha ai.
Edhe shefi i kabinetit të ministrit të MASHT-it, Fehmi Hysenaj, është zotuar se do të zbatohet ligji që njeh kontributin e mësuesve në vitet e nëntëdhjeta. Ai tha se kjo ministri ka dërguar ligjin në Qeveri dhe tash pret të kalojë procedurat e nevojshme për miratim në Kuvendin e Kosovës“Me të marrë detyrën ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka formuar komisionin për rishikimin e ligjit që njeh kontributin tuaj në kohërat më të vështira për Kosovën, pra vitet 90-të, 99-të. Ky komision e ka kryer punën e vet dhe tashmë ligji është në Qeveri dhe pret të kaloj procedurat e nevojshme për tu miratuar në Kuvendin e Kosovës. ne po punojmë vazhdimisht që të kemi kurrikula të standardizuara dhe në aspektin më të lartë në mënyrë që të rritet efikasiteti në punën e mësuesve dhe të arsimtarëve, si dhe të krijohen ambiente më të mira shkollore”, tha ai.Në kuadër të ceremonisë, SBASHK-u u ka ndarë mirënjohje dhe nga një orë dore për 627 punëtorë të arsimit që janë pensionuar nga 7 marsi i vitit të kaluar e deri në marsin e këtij viti.