Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili po qëndron në Francë, ka kritikuar kryeministrin dhe presidentin për vazhdimin e dialogut me Serbinë.
Sipas Haradinajt, kryeministri Isa Mustafa dhe presidenti Hashim Thaçi, janë shndërruar në kukulla të Serbisë.
Ish kryeministri ka deklaruar se është kundër dialogut pa kushte, për siç tha ai, pas sulmeve të njëpasnjëshme të shtetit serb ndaj Kosovës.
Këto deklarata Haradinaj i ka bërë përmes një postimi në rrjetin social Facebook, të cilin mund ta lexoni pa ndërhyrje më poshtë.
Përcaktimi i Hashim Thaçit e Isa Mustafës, që pavarësisht rrethanave të krijuara nga sulmet e njëpasnjëshme të Serbisë mbi sovranitetin e Kosovës, të vazhdojnë bisedimet me Serbinë, është pozicion i kukullave.
Që të ulësh në një tavolinë bisedimesh me Serbinë, që po i shkakton kaq shumë dëme Kosovës, kjo edhe përmes sulmeve e marifeteve të fundit, siç janë muri, treni dhe fletarrestet e sajuara, do të thotë të mos e kuptosh interesin e shtetit tënd.
Të pranosh të ulesh e të dialogosh me Serbinë, në këto rrethana e në kohën e një kundërshtimi kaq të madh popullor kundër një dialogu pa kushte, do të thotë të mos e përfaqësosh popullin.
Ndërkaq sa i përket deklarimeve të prokurorëve e të politikanëve serbë për rastin tim, i porosis të gjithë ata, se kryeqyteti im nuk është Beogradi!