Kryeministri Ramush Haradinaj, në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të komunitetit rom tha se ndonëse janë ratifikuar një sërë konventash ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, romët vazhdojnë të përballen me kushte të vështira jetës.
Haradinaj shtoi se Qeveria është e përkushtuar që secili komunitet që jeton në Kosovë të jetë i barabartë dhe përfaqësuar njësoj në shoqëri.
Ai ka falënderuar komitetin rom për partneritetin në qeverisje për temat e rëndësishme për vendin.
“Kemi strategji, por është koha për implementim të saj në bashkëpunim me të gjitha institucionet”.
8 Prilli njihet si Dita Ndërkombëtare e Komunitetit rom. Për herë të parë është vendosur në vitin 1971 në Londër, së bashku me flamurin dhe himnin rom, raporton Ekonomia Online.
Dita Ndërkombëtare e Romëve është një kremtim i historisë rome, traditave dhe kulturës ashtu si edhe thirrje për përfshirje sociale.
Kjo ditë synon gjithashtu të rrisë ndërgjegjësimin mbi sfidat me të cilat përballen komuniteti rom në gjithë botën.
Romët kanë zhvilluar traditat e tyre në muzikë, poezi, kërcim dhe pikturë. Muzika e tyre ka influencuar kompozitorët e muzikës klasike të tillë si Franz List dhe Johannes Brahms, raporton EO.
Kërcimi Flamengo përfaqëson shembullin më të dukshëm të kontributit të Romëve në stilin e përgjithshëm të kërcimeve.