Aktuale

Haradinaj morri vendime jo ligjore

Në 100 ditshin e udhëheqjes së Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj ka marrë vendime të pamenduara, të pabazuara dhe jo ligjore.

Kështu është thënë në publikimin e raportit të “Vlerësimit të 100 ditëve të para të Qeverisë”, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Instituti GAP dhe INDEP.

Nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Delfina Elshani, tha se për këto 100 ditë të Qeverisë së Ramush Haradinajt, është karakterizuar me marrjen e vendimeve të pamenduara dhe jo ligjore.

“Që në vendimin e parë Qeveria ka shkarkuar komisionin shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit shtetëror, i cili vendim është në kundërshtim me ligjin për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror dhe rregulloren e saj mbështetëse. Së dyti, Qeveria ka shkarkuar 10 nga 19 anëtarët e bordeve të ndërmarrjeve publike, të cilit sipas raportit të Agjencisë Kundër Korrupsionit ishin mbajtës të paligjshëm të detyrës. Ekzistojnë dy arsye kryesore pse e bëjnë këtë vendim të politizuar dhe që praktikon një zbatim të pjesshëm mbi ligjin. Së pari, është Kuvendi përgjegjës për shkarkimin anëtarëve të disa bordeve dhe jo Qeveria, dhe së dyti, ekzistojnë procedura ligjore të cilat duhet të ndjekin për të zëvendësuar shkarkimin e këtyre personave”, tha ajo.

Sipas saj, vendimi i Qeverisë për faljen e borxhit të ambalazhuesve të ujit është i paligjshëm dhe i padrejtë, pasi përçon një mesazh negativ për sektorin privat.

Të paligjshëm e ka konsideruar edhe vendimin e kryeministrit Haradinaj për kompensimin e familjeve të të përfshirëve në rastin e Kumanovës, sipas të cilës kompensimi i individëve që kanë marrë pjesë në një konflikt jashtë vendit shkel ligjin aktual për ndalimin e pjesëmarrjes në konflikte të armatosura jashtë territorit.

Elshani ka bërë edhe një përmbledhje sa i përket planit legjislativ të Qeverisë Haradinaj.

“Sa i përket planit legjislativ, Qeveria Haradinaj ka miratuar në fund të shtatorit programin legjislativ 2017, i cili gjithsej përmban 74 projektligje, 50 prej tyre kanë qenë të trashëguara nga qeveria e mëparshme dhe kemi vetë 24 iniciativa të reja legjislative, të cilat ishin të parapara të procedohen deri në fund të këtij viti. Deri më 18 dhjetor janë aprovuar 36 projektligje nga të cilat tri kanë qenë jashtë programit legjislativ, pra nuk ishin të parashikuara me plan legjislativ, do të thotë më pak se 50 përqind të projektligjeve janë proceduar në Kuvend. Nga 41 projektligje të tjera 26 janë jashtë afatit kohor të përcaktuar me program dhe vetëm 15 prej tyre pritej të procedohen pas datës 18 dhjetor deri në fund të vitit”, bëri të ditur ajo.

Ndërkaq, Dardan Abazi, nga INDEP, foli për diplomacinë e Kosovës, ku tha se ministri i Jashtëm ka qenë në pozitë të disfavorshme për shkak të mungesës së konsensusit të brendshëm për një sërë temash shtetërore.

Një vendim pozitiv gjatë kësaj kohe, tha se është njohja e Kosovës nga Madagaskari.

“Kosova dhe diplomacia e saj ka dështuar në integrimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, ne ende nuk kemi qasje në UNESKO, në Interpol dhe në organizata të tjera. Siç e dini kemi pasur një tërheqje të kandidimit të aplikimit për Interpol dhe nuk ka zhvillime e as diskutime të qarta në lidhje me rrugën që Kosova të ndjek për të realizuar këto integrime”, tha ai.

Kurse, Qeverinë e udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj, Nora Latifi-Jashari nga Instituti GAP, e ka quajtur si më e madhja në Evropë.

“Qeveria që u betua më nëntë shtator, si rezultat i një kompromisi të vështirë, është e përbërë nga 21 ministri në të cilat deri më tani janë emëruar mbi 70 zëvendësministra. Krahasuar me qeverinë e fundit në këtë mandat janë shtuar dy ministri të reja, kurse janë shtuar postet e dy ministrive pa portofol, si dhe gati është dyfishuar numri i zëvendësministrave, numri i të cilëve pritet të rritet më tutje. Kjo Qeveri e madhe mund të llogaritet në mesin e qeverive më të mëdha në Evropë, pasi që është e përbërë nga 23 parti dhe një anëtar i pavarur”, tha ajo.

Synim i kësaj analizë politike ka qenë ofrimi i një vlerësimi për 100 ditëve të para të qeverisë, si dhe vlerësimi i përformancës së saj bazuar në premtimet dhe programin Qeverisës 2017-2021 dhe agjendën legjislative.

Kjo analizë është e bazuar në katër shtylla kryesore të politikave qeverisëse, së pari janë analizuar vendimet e Qeverisë të ndërmarra gjatë 100 ditëve dhe përmbajtjen e tyre. Së dyti është ofruar një analizë e hollësishme e programit legjislativ, më saktësisht projektligjet e procesuara, të miratuara dhe nismat e reja legjislative. Së treti pasqyron zhvillimet dhe sfidat kryesore të diplomacisë Kosovare, duke u fokusuar në njohjet e pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizata të ndryshme ndërkombëtare./KP