Aktuale

Haradinaj: Masakra e Srebrenicës na kujton një akt barbar të një regjimi mizor

Sot bëhen 24 vite që prej së ndodhi njëra ndër masakrat më të madhe në Ballkan, ajo e Srebrenicës ku u vranë mbi 8 mijë burra, gra, pleq, fëmijë, nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, me rastin e 24 vjetorit të kësaj masakre, ka thënë se kjo masakër, na e kujton një epokë të errët dhe një akt barbar të një regjimi mizor.

“Në 24 vjetorin e Masakrës së Srebrenicës, nderojmë me respekt mijëra viktima civile, fëmijë, gra, të moshuar, njerëz të pafajshëm dhe të pambrojtur. Kjo masakër, na e kujton një epokë të errët dhe një akt barbar të një regjimi mizor”, tha Haradinaj, raporton FaktePlus.

Me tutje kreu i ekzekutivit kosovar theksoi se kjo masakër dhe shumë tjera do të mbetën njollë në ndërgjegjen e njerëzimit derisa nuk vendoset drejtësia.

“Masakra në Srebrenicë dhe vrasjet tjera masive në Ballkan nga regjimi i Millosheviqit dhe vartësve të tij, mbeten njolla të pa shlyera në ndërgjegjen e njerëzimit, derisa nuk vendoset drejtësia e munguar. Sot, Kosova është me popullin e Bosnjës, me familjet dhe dhimbjen e tyre!”, është shprehur Haradinaj. /FaktePlus

the authorBurbuqe Metolli