Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, mori pjesë në ceremoninë e vënies së gurthemelit të Muzeut të gjenocidit serb “Bllaca 99”,
“Liria e Kosovës në themelet e veta e ka emrin e secilit refugjat të Bllacës dhe të gjithë atyre që dhunshëm u përndoqën nga shtëpitë e tyre. Ata u bënë zëri dhe imazhi i Kosovës që kërkonte të drejtën e vet”, kështu tha kryeministri I Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në ceremoninë e vënies së gurthemelit të Muzeut të gjenocidit serb “Bllaca 99”, në kujtim dhe nderim të gjithë shqiptarëve që e përjetuan Bllacën dhe eksodin e 99-ës, në kujtim dhe nderim të gjithë të rënëve për liri, dëshmorëve dhe të zhdukurve, në respekt dhe falënderim për të gjithë ata që ndihmuan popullin shqiptarë dhe Kosovën në vitin 1999, njofton kumtesa.
Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Haradinaj, tha se janë në Bllacë për të respektuar rezistencën e vuajtjen e shqiptarëve që kanë kaluar nëpër Kampin e Bllacës, gra e burra, fëmijë e pleq, që prapa kishin lënë të kaluarën, emrat, kujtimet, varrezat dhe njerëz të tyre në zjarrin e luftës.
Po ashtu, kryeministri Haradinaj falënderoi shqiptarët kudo që janë, për bukën dhe ujin, për strehën dhe mbi të gjitha për shpresën që ua mbajtën gjallë të përndjekurve me ëndrra të vrara.
“Një falënderim të gjithë njerëzve të mirë, prej këtu, përgjatë tërë Evropës Perëndimore e përtej Atlantikut,,në Amerikë, Kanada e Australi, e deri në Jerusalem, që ua lehtësuan tragjedinë dhe ua lidhën plagët e shpirtit”, tha kryeministri Haradinaj.
Siç thuhet në njoftim, nga një fjalë në ceremoninë e vënies së gurthemelit të Muzeut të gjenocidit serb “Bllaca 99”, mbajtën edhe kryetari BDI-së, Ali Ahmeti dhe kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma.
Po sot, në Bllacë, është hapur ekspozita me fotografi nga kampet e refugjatëve e fotografit profesional nga Brukseli, Asllan Krasniqi, është mbajtur mitingu i poezisë “Bllaca 99”, me pjesëmarrjen e mbi 90 poetëve nga të gjitha trevat shqiptare, si dhe në shenjë kujtimi dhe nderimi për të gjithë shqiptarëve që e përjetuan Bllacën, janë mbjellë 99 fidane.
Fjala e plotë e kryeministrit Haradinaj:
Në fillim, më lejoni të përshëndes ata që ndodhen këtu, e që përmes këtij treni i kanë ikur vdekjes, të gjithë që janë prezent, që kanë ardhur nga të gjitha viset e Kosovës.
Sot, po vejmë gurthemelin e një shtëpie jo të jashtëzakonshme, që i zë kujtimet e gjithë shqiptarëve, me shpresë që ndjekjen nga toka e vet kurrë më nuk do ta përjetojë askush.
Një shtëpi që do të jetë shtëpi e kujtesës kolektive, ku do të vijën breza e breza për të mësuar leksionin e parë: Sa e shtrenjtë është liria dhe sa dhembje sjell rruga deri në liri!?
Në respekt dhe përkujtim të vuajtjeve, por edhe rezistencës së refugjatëve kosovarë, po e ngremë këtë Qendër Përkujtimore të gjenocidit serb në Kosovë, Bllaca ’99, shtëpi që flet më zërin e ndërgjegjes, kundër harresës.
Ky duhet të jetë një Muze Botëror, i gjithkohëshëm, që flet kundër mizorisë së njeriut ndaj njeriut!
Jemi sot këtu për respekt të rezistencës dhe vuajtjes së 440 mijë shqiptarëve që kanë kalua nëpër Kampin e Bllacës, nga mbi një milionë gra e burra, fëmijë e pleq që prapa kishin lënë të kaluarën, emrat, kujtimet, varrezat dhe njerëz të tyre në zjarrin e luftës.
Ndërkohë që 60 për qind prej tyre janë vendosur nëpër shtëpi të shqiptarëve, që i hapën dyert dhe zemrat, deri në lajmin e madh, që ushtoi si vetëtima: Kosova u çlirua! Kosova mbeti gjallë!
Falënderim shqiptarë kudo që jeni, faleminderit për bukën dhe ujin, për strehën dhe mbi të gjitha për shpresën që ua mbajtët gjallë të përndjekurve me ëndrra të vrara. Po ashtu, një falënderim të gjithë njerëzve të mirë, prej këtu, përgjatë tërë Evropës Perëndimore e përtej Atlantikut në Amerikë, Kanada e Australi, e deri në Jerusalem, që ua lehtësuan tragjedinë dhe ua lidhën plagët e shpirtit.
Dhe sot, kur po e vendosim një shenj në kohë dhe në këtë tokë të ujitur me gjak e lot, e cila ka për të qëndruar shekujve dhe ka më shërbye si vërejtje, që bota e lirë mos të lejojë më spastrim etnik, vrasje në masë dhe ndjekje e trena të vdekjes, sepse kush nuk mëson nga historia ajo do t’i përsëritet.
Pushtuesi mësyu një shekull të marrë tokë nga shqiptarët dhe kur u shfaq UÇK –ja, populli e rizbuloi forcën e tij – mos me dhanë më tokë – duke u rreshtuar në luftën për liri e dinjitet dhe regjimi i Millosheviqit duke e ndje fundin e vet, nisi fushatën e mizorive, për të marrë sa më shumë jetë nga shqiptarët.
Por bota e lirë, e prirë nga Amerika, ia mbylli rrugën me drejtësi kësaj mizorie për ta rikthyer shpresën. Kosova u rikthyer në historinë gjeopolitike të botës.
Kosova e ngrit këtë Muze edhe si falënderim të përjetshëm botës demokratike, si atyre që ndanë drejtësinë.
Sot, kujtesa jonë duhet ta zgjojë vëmendjen e secilit njeri, edhe fqinjëve tanë serbë, që mos t’ua trazojnë plagët ende të freskëta shqiptarëve, por t’i respektojnë vuajtjet e tyre.
Liria e Kosovës në themelet e veta e ka emrin e secilit refugjat të Bllacës dhe të gjithë atyre që dhunshëm u përndoqën nga shtëpitë e tyre, ata u bënë zëri dhe imazhi i Kosovës që kërkonte të drejtën e vet.
Lavdi e përjetshme të gjithë të rënëve për liri, gjithë sakrificës së popullit tonë! /Lajmi.net/