Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i është refuzuar viza për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
Ai kishte planifikuar që me datën 11 janar të ishte prezent në qytetin Lowa, ku ishte i ftuar nga komandanti i Gardës Kombëtare, Timothy E. Orr.
Po ashtu, kryeministri i Kosovës dhe bashkëshortja e tij nuk do të marrin pjesë as në Lutjet e Mëngjesit, ftesë të cilën e bën Komiteti Pritës i Kongresit amerikan e të cilat fillojnë në orën 07:30.
Në vend të kryeministrit të Kosovës do të marrë pjesë zëvendëskryeministri i Parë, njëherësh ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli.
Politologu Gurakuç Kuçi në një prononcim për portalin Arbresh.info ka thënë se zakonisht dhënia e vizave diplomatike bëhet brenda dite, e sidomos kur është fjala për një kryeministër.
“Zakonisht dhënia e vizave diplomatike bëhet brenda dite, e sidomos kur e kemi fjalën për kryeministër, president apo nivele të tjera të larta dhe nuk vjen në shprehje refuzimi kur kemi të bëjmë me vende aleate, mike apo marrëdhënie si Kosova me SHBA-në”, ka thënë ai.
Sipas tij, refuzimi i vizës për Haradinaj nuk është i thjeshtë.
“Refuzimi i vizës për Haradinaj nuk ishte thjesht ndonjë mesazh por edhe fyerje ndaj tij”, u shpreh Kuçi.
Ai më tej shtoi se Haradinaj nuk ka një mikpritje nga SHBA-ja pasi nuk qëndron pro politikave të tyre.
“Kjo nënkupton se Haradinaj nuk ka një mirëpritje nga SHBA-ja pasi nuk qëndron pro politikave të tyre, dhe një goditje e tillë jo vetëm që ftoh marrëdhëniet SHBA – Qeveri Haradinaj, por është një grusht diplomatik për rrëzimin e Qeverisë. Këtë grusht diplomatik nga SHBA-ja e shfrytëzoi për poenë politikë mjaft mirë Kadri Veseli me deklaratën që nuk është pro shfuqizimit të Ligjit për Gjykatën Speciale”, tha Kuçi.
Kryeministri Haradinaj dje gjatë ditës ka publikuar në llogarinë e tij në Facebook telegramet e urimit nga Presidenti amerikan Donald Trump dhe sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson.
Në postimin e tij Haradinaj ka thënë se marrëdhëniet me ShBA-të vazhdojnë të jenë të mira.
Mirëpo, këto telegrame urimi janë dërguar para festës së Vitit të Ri dhe të njëjtat u dërgohen të gjithë kryeministrave të botës.
Ndërkohë Haradinajt nuk i është kthyer përgjigje për vizën qe më shumë se një muaj.
Në Lutjet e Mëngjesit të vitit të kaluar ka marrë pjesë edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
Po ashtu, ai në këtë ceremoni ishte takuar edhe me Presidentin e SHBA-ve, Donald Trump. /Arbresh.info