Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka treguar ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, se Kosova nuk përbën rrezik të migrimit. Kreu i ekzekutivit në një takim me diplomatin gjerman ka theksuar se vitin 2018 Kosova shënoi trendin me të vogël të migrimit në vitet e fundit.
Po ashtu, kreu i ekzekutivit theksoi se ambasadorit gjerman në Kosovë, i ka konfirmuar plotësimin e të gjitha kritereve për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
“Në takimin e rregullt me Ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, ndër të tjerash theksova se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, ka shënuar progres të konsiderueshëm në fushën e sigurisë, rendit dhe ligjit dhe është e përkushtuar që të avancojë me raportet bilaterale me Gjermaninë dhe, gjithmonë e gatshme për marrëdhënie të mira me të gjitha vendet fqinje”, ka thënë Haradinaj.
Me tutje kryeministri Haradinaj ka përmendur edhe shifrat e migrimit, ku gjatë vitit 2018 kanë qenë 723 raste, një rënie prej 98 për qind.
“Kisha kënaqësi të ndaj me ambasadorin Heldt statistikat e fundit reale të migrimit, ku Kosova tregon qartë se nuk përbënë rrezik të migrimit, duke shënuar trendin më të vogël ndër vite me vetëm 723 raste të kërkesave për migrim në vitin 2018. Krahasuar me vitin 2015, ku shifrat e migrimit tregonin për 67.545 persona që kanë migruar, viti 2018 me vetëm 723 raste, tregon qartë një rënie prej 98%, rezultat ky që dëshmon përkushtimin e qytetarëve të Kosovës, për të respektuar së pari, shtetin e Kosovës dhe gjithashtu për të respektuar parimet bazë të lëvizjes së lirë”, është shprehur ai. /FaktePlus