Aktuale

Haradinaj: Kosova është kthyer në binarët e vet qeverisës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është takuar sot me kryeministrin Ramush Haradinaj, me të cilin ka biseduar për vazhdimin e reformave demokratike, të nevojshme dhe të domosdoshme për shtetin e ri.

Me këtë rast, presidenti Thaçi tha se konstituimi i institucioneve të Kosovës është meritë e partive politike kosovare.

Ai tha se me kryeministrin Haradinaj kanë biseduar për angazhimet e përbashkëta, për të përshpejtuar procesin e integrimit të Kosovës në NATO, BE dhe Kombet e Bashkuara.

“Është një meritë e jashtëzakonshme e partive politike kosovare, konstituimi i Kuvendit dhe themelimi i Qeverisë nga vetë debati i brendshëm i spektrit politik, pa ndërhyrje dhe presion prej ndërkombëtarëve. Mendoj se kjo është një kulturë politike, që duhet vlerësuar nga të gjithë. Kështu që ne diskutuam me kryeministrin Haradinaj dhe me herët me kryetarin Veseli angazhimet që do të kemi të përbashkëta, për të përshpejtuar procesin e integrimit të Kosovës në NATO, BE, në OKB. Ky është vetëm fillimi i mandatit qeverisës. Natyrisht se do të ketë hapësirë dhe mundësi të një debati në Kuvendin e Kosovës, për prioritetet e qeverisë së Kosovës. Ku kam besim të plotë se do të kyçen dhe partitë opozitare dhe të gjithë. Sepse jam i bindur se vetëm të bashkuar, mund të lëvizim përpara edhe më shpejtë edhe më mirë. Ka hapësirë për të kontribuar të gjithë. Kam besim se do të krijohen ato rrethana, ato kushte të komunikimit edhe të bashkëpunimit që janë interesa të përbashkëta. Duke shikuar gjithmonë pozicionin e qeverisë dhe opozitës”, tha presidenti Thaçi.

Ndërsa, kryeministri Haradinaj tha se Kosova tashmë është kthyer në binarët qeverisës dhe institucional dhe se javën e ardhshme do të paraqesin në Kuvend edhe programin qeverisës.

“Opinioni dhe qytetarët e vendit janë në dijeni se ne veç e kemi incizuar gjendjen qeverisëse në vend. Tani e dimë si është qeverisja. Si është gjendja më reale në vend. Në javën që po vjen do t’i paraqesim në Parlamentin e vendit edhe programin qeverisës, por që ka nisje të saktë nga gjendja reale. Jo një orientim veç politik i krejt partnerëve qeverisës. Po orientim politik i partnerëve qeverisës, por qeverisja bëhet nga gjendja reale. Njëkohësisht do të prezantojmë dhe strategjinë legjislative, ligjet që i parashohim për t’i kaluar në Kuvend dhe detyrat qeverisëse. President ju faleminderit për kohën tuaj. Njëkohësisht, faleminderit dhe për kujdesin tuaj që ta lehtësoni të kaluar nga përgjegjësia jote kushtetuese formimin e institucioneve të vendit. Kosova sot është e vërtetë se veçse u kthye në binarët e vet qeverisës dhe institucional”, tha Haradinaj./kp