Kryeministri Ramush Haradinaj ka mbajtur një konferencë të shkurtër për gazetarë në objektin e Qeverisë, raporton Gazeta Metro.
I pari i Qeverisë ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes me LDK’në për ratifikimin në Kuvend të marrëveshjes për demarkimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Ai ka konfirmuar edhe zyrtarisht që raporti i Komisionit Shtetëror të Shpejtim Bulliqit do të ketë vetëm rol orientues, ashtu siç kishte kërkuar Lidhja Demokratike e Kosovës.
“Definitivisht është heqë pengesa e fundit politike që të arrihet një konsensus me LDK’në në Parlament për ta votu ligjin për demarkacionin, ligj i cili gjithashtu përmban në bazë të marrëveshjes edhe raportin e Komisionit Shtetëror si orientim dhe deklaratën e Presidentëve”, tha Haradinaj.
“Kam bërë një lëvizje politike, një dakordim me LDK’në, besoj që me këtë ua kemi hapur mundësinë deputetëve që të lëvizin”, tha Haradinaj, teksa shpjegoi që në nenin 3, pika 1.2, thotë që dokumentacioni i Komisionit Bulliqi është vetëm orientim.
Seanca për demarkacionin pritet të mbahet të mërkurën, ndërsa të gjitha partitë përveç VV’së dhe Listës Serbe kanë konfirmuar votën pro kësaj marrëveshjeje. /gazetametro.net