Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar që të bëhet zbardhja e plotë e rastit, pas dënimit të Grupit të Kumanovës nga një Gjykatë në Shkup, në mesin e së cilëve kishte edhe 19 kosovarë, ndërkohë që nuk e ka përjashtuar një hetim ndërkombëtar për zbardhjen e të vërtetës.
Ai gjatë një konference të përbashkët për media me ministrin e Financave, Bedri Hamza tha se ka thirrur për sqarim edhe ambasadorin e Republikës së Maqedonisë, në Kosovë.
“Kemi marrë disa veprime dje dhe sot ku kemi ftuar ambasadorin në Maqedoni dhe duhet të analizohen të gjitha ngjarjet deri tek e vërteta. Shumica e tyre janë shtetas të Kosovës dhe kemi obligim të kujdesemi për fatin e tyre për t’u gjetur e vërteta. Është mirë me ndërhyrë bashkësia ndërkombëtare në rastin Kumanova për të vendosur drejtësi” , ka thënë Haradinaj.
Shtatë pjesëtarëve të Grupit të Kumanovës iu shqiptua burg i përjetshëm, të tjerëve gjithsej 746 vjet burg, ndërkohë që vetëm katër prej tyre u liruan nga aktakuza. Prej tyre 19 janë shtetas të Republikës së Kosovës, një është shtetas i Republikës së Shqipërisë, një është shtetas gjerman dhe të tjerët janë shqiptarë nga Maqedonia./kp