Aktuale

Haradinaj: Me kandidatët e AAK-së ndryshon jeta e qytetarit

Me moton “Ndryshimi ka filluar” AAK sot pasdite hapi fushatën për zgjedhje lokale.

Anëtari i AAK-së Blerim Kuqi ka prezantuar një nga një kandidatët për kryetarë nga radhët e AAK-së duke filluar me kandidatin për Prishtinën Arbër Vllahiun.

Kuqi tha se ndryshimi do të fillojë në shumë fusha nëpër komuna të cilat do t’i fitojë AAK. Sipas tij ndryshime do të ketë në sektorin e arsimit, zhvillimit ekonomik, shëndetësi dhe rini.

Kryeministri Ramush Haradinaj njëherësh kryetar i AAK tha se shërbimet e tij për partinë do të jenë pas orarit të punës në Qeveri.

“Kandidatët tonë që do të sjellin qeverisjen të kenë votën në gjithë Kosovën për komuna, për ndryshimin që ka filluar. Kemi para vetes shumë punë, mirëpo askush nuk ka me na i kryer punët tona dhe në këto ditë të qeverisje për qytetarin kemi arritë ta fusim Kosovën në binarë. Do të hyjmë në dimër me garancën se do të kemi energji elektrike, minatori dhe pacientët do të jenë të trajtuara sipas ligjit. Anëtarësimi ynë në NATO dhe transformimi në ushtri do ta bëjë Kosovën më të fortë. Dy kushte i ka Kosova për liberalizim, lufta kundër korrupsionit dhe Demarkacioni”, tha Haradinaj.

Sipas tij, Demarkacioni nuk po qëndron në sirtar , dhe kjo temë është në proces.

“Do t’i kemi disa vonesa për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, mirëpo nuk duhet të ishte kusht për liberalizim”.

Haradinaj me këtë rast foli edhe për sektorin e bujqësisë i cili tha se për mes qeverisjes të ketë një jetë të dinjitetshme.

Kryetari i AAK-së ka kërkuar votën për kandidatët e partisë së tij duke thënë se në shumë komuna do të shkojnë në balotazh./KosovaPress/