Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj tha se gjatë ditës së sotme e ka telefonuar liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pasi ky i fundit qysh në mëngjes është shtrirë për shërim në një spital të QKUK-së.
Haradinaj tha se edhe i ka ofruar përkrahje nëse është e nevojshme, ndërsa i ka uruar shërim të shpejtë Kurtit.
“Po i kam telefonuar Albinit dhe si qeveri i kam ofruar përkrahje dhe kujdes. Jam dëgjuar edhe me Liburnin. Shpresojë se s’ka ndonjë kiamet, por si kryeministër shfrytëzoj rastin me i uru shërim të shpejtë”, është shprehur ai.
=Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është shtrirë mëngjesin e së martës për trajtim në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK).
Këtë e ka konfirmuar, kryetari i Vetëvendosjes për Prishtinë, Arben Vitia, i cili tha se Kurti ka një infeksioni gripal.
“Të dashur miq, meqenëse shumë prej jush po thërrisni në telefon për të pyetur, po ju njoftoj këtu, Albini sot në mëngjes herët ka patur një shqetësim shëndetësor, për shkak të një infeksioni gripal”, ka thënë ai.
Vitia bëri të ditur se falë përkujdesjes së mjekëve fillimisht në emergjencë dhe mandej nga ata të Klinikës Infektive në QKUK, gjendja e Kurtit tash është më stabile.
“Pranë tij është kujdesi i mjekëve, familjarëve e aktivistëve. Meqenëse shenjat janë të gjitha të mira, shpresojmë që do të dalë sa më shpejt”, është shprehur Vitia.